Kubanët thonë se kanë ndaluar një grup që po tentonte të kryente terrorizëm
Luan Qorraj / RTK
Autoritetet kubaneze kanë thënë se rojet bregdetare kanë arritur të ndalojnë një grup individësh të cilët ishin dërguar nga Shtetet e Bashkuara për të tentuar të destabilizojnë regjimin në Havana.
Sipas zyrtarëve kubanezë, incidenti ndodhi gjatë natës së kaluar, kur rojet bregdetare vërejtën një barkë e cila ishte duke tentuar që në mënyrë klandestine të arrijë në ishull.
Sipas tyre, pasi që rojet bregdetare tentuan ta ndalojnë, personat në barkë hapën zjarr drejt rojeve, duke nxitur kështu një shkëmbim zjarri gjatë së cilit u vranë 4 prej 10 personave që ishin në barkë, përderisa 6 të tjerë u arrestuan.
Havana zyrtare tha se personat në barkë kanë qenë shtetas amerikanë me prejardhje kubaneze dhe kanë shtuar se barka ishte e regjistruar në Florida. Sipas tyre, ky grup i cili ka qenë i armatosur rëndë, ka pasur për qëllim kryerjen e veprave terroriste me qëllim të destabilizimit të regjimit.
Zyrtarët amerikanë mohuan të gjitha akuzat, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë të bëjnë me këtë incident. Megjithatë, ata thanë se Uashingtoni do të kryejë hetimet e veta rreth incidentit, pasi që “nuk mund të mbështetet” në informata që vijnë nga Kuba.























