Putin e quan vrasjen e Ali Khameneit `një vrasje cinike`
BKT
Foto: AP, arkiv
Rajoni dhe Bota

Putin e quan vrasjen e Ali Khameneit `një vrasje cinike`

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke e cilësuar atë si “një vrasje të kryer në mënyrë cinike, në shkelje të të gjitha normave të moralit njerëzor dhe të së drejtës ndërkombëtare”.

“Në vendin tonë, Ajatollah Khamenei do të kujtohet si një burrë shteti i shquar që dha një kontribut të madh personal në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ruso-iraniane, duke i çuar ato në nivelin e një partneriteti strategjik gjithëpërfshirës,” tha Putin.

Mesazhi i Kremlinit u publikua në Telegram dhe iu drejtua Presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Masoud Pezeshkian.

Një ditë më parë, Ministria e Jashtme ruse dënoi operacionin e përbashkët ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, duke e quajtur “një akt të paramenduar dhe të paprovokuar agresioni të armatosur kundër një shteti sovran dhe anëtar të OKB-së, në shkelje të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”.

Sipas Moskës, Uashingtoni dhe Tel Avivi po e çojnë rajonin drejt një katastrofe humanitare, ekonomike dhe radiologjike. Ministria ruse pretendon se SHBA-ja dhe Izraeli po mbulohen me “shqetësim imagjinar” për programin bërthamor iranian, ndërsa qëllimi i tyre, sipas saj, është shkatërrimi i rendit kushtetues dhe udhëheqjes së Iranit.

Ministria e Jashtme kërkoi kthimin e menjëhershëm në një zgjidhje politike dhe diplomatike.

Autoritetet ruse u bënë thirrje shtetasve rusë në Iran dhe Izrael që të largohen nga këto vende nëse është e mundur. Nga Irani rekomandohet largimi përmes Azerbajxhanit dhe Armenisë, ndërsa nga Izraeli përmes Egjiptit dhe Jordanisë.

Zhvillimet në Iran po ndiqen me shqetësim në Moskë, pasi Republika Islamike konsiderohet aleate e Kremlinit. Sipas ekspertëve, paqëndrueshmëria në Iran mund të rrezikojë projektet ruse në rajon, përfshirë korridorin e transportit Veri-Jug, investimet në sektorin energjetik dhe planet për ndërtimin e një centrali të ri bërthamor. /Burimi: Euro News


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota