Izraeli–Hezbollahu shkëmbejnë zjarr, konflikti me Iranin zgjerohet
Flutura Bekqeli / RTK
Kanë kaluar tre ditë që kur SHBA-të dhe Izraeli filluan sulmet e përbashkëta ndaj Iranit, duke vrarë udhëheqësin e tij suprem.
Hakmarrja e Iranit ka qenë e shpejtë dhe e gjerë, me sulme që synojnë pothuajse të gjithë fqinjët e tij, shumë prej të cilëve janë vende të Gjirit aleate të SHBA-së.
Të paktën tre ushtarë amerikanë u vranë në Kuvajt, me Presidentin e SHBA-së Trump që paralajmëroi se mund të ketë shumë më tepër vdekje të ushtarëve, ndërsa citoi parashikimet e Pentagonit.
Trump tha të dielën se lufta mund të zgjasë katër deri në pesë javë.
Zyrtari më i lartë i Iranit tha se Teherani "nuk do të negociojë" me SHBA-në derisa shpërthime janë raportuar në qytetet e Gjirit, përfshirë Dubain, Abu Dhabin dhe Dohan, derisa Izraeli dhe Hezbollahu po shkëmbejnë goditje dhe konflikti po zgjerohet. Mbrëmë Hezbollahu, grupi shiit libanez që është mbështetur nga Irani me miliarda dollarë, qëlloi me raketa qytetin izraelit të Haifës.
Izraeli u përgjigj me një sulm ajror të gjerë. Në shënjestër u vu fortesa e Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe zonat afër aeroportit të qytetit. Hezbollahu nuk është më forca që ishte pasi u godit nga Izraeli në luftën 18 muaj më parë. Por me lidhje të forta ideologjike, fetare dhe financiare me Iranin, ishte pothuajse e pashmangshme që grupi të tërhiqej në një konflikt në të cilin pothuajse çdo vend në Lindjen e Mesme është përfshirë tani.
Lufta ka ndërprerë udhëtimet ajrore, ka goditur shtetet e Gjirit miqësore me SHBA-në që zakonisht konsiderohen të sigurta si dhe ka penguar rrjedhën e naftës. Dhe në Qipro, një bazë britanike u shënjestrua nga një "sulm i dyshuar me dron", ka thënë Ministria Britanike e Mbrojtjes.
Çmimet globale të naftës u rritën kur tregjet u hapën në Azi të hënën dhe ndërprerjet e udhëtimit vazhdojnë, me hapësirën ajrore të mbyllur në të gjithë Gjirin.























