Macron, ka njoftuar se Parisi zyrtar do të rishikojë doktrinën bërthamore
BKT
Rajoni dhe Bota

Macron, ka njoftuar se Parisi zyrtar do të rishikojë doktrinën bërthamore

Luan Qorraj /RTK

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar se Parisi zyrtar do të rishikojë doktrinën e tij bërthamore, duke paralajmëruar rritje të kapaciteteve bërthamore dhe zgjerim të të ashtuquajturës “ombrellë mbrojtëse” për të përfshirë edhe vende të tjera evropiane.

Sipas Macron, ndryshimet e thella në skenën ndërkombëtare dhe zhvillimet gjeopolitike globale kanë detyruar Francën të përshtatë strategjinë e saj të mbrojtjes me sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes. Ai theksoi se gjithnjë e më shumë shtete po synojnë të sigurojnë armë bërthamore, duke shtuar se “50 vitet e ardhshme do të jenë koha e armëve bërthamore”.

Megjithëse detajet e plota nuk janë bërë publike, është bërë e ditur se Franca planifikon të rrisë në mënyrë të dukshme numrin e kokave bërthamore dhe sistemeve të tyre të dërgimit. Po ashtu, Parisi pritet të mos publikojë më të dhëna të sakta mbi numrin e arsenalit që posedon.

Në kuadër të kësaj strategjie, Franca planifikon ndërtimin e të paktën një nëndetëseje të re bërthamore, ndërsa avionët francezë me kapacitet për armë bërthamore mund të dislokohen në baza të disa shteteve evropiane që do të përfshihen në ombrellën e re mbrojtëse.

Përveç rritjes së kapaciteteve bërthamore, Franca do të investojë edhe në modernizimin dhe zgjerimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, përfshirë sensorët, sistemet e përcjelljes dhe paralajmërimit satelitor për lëshime të mundshme raketash apo mjeteve ajrore pa pilot drejt kontinentit evropian.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota