Situata në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet
Bardhyl Bajrami / RTK
Situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet me sulme ndaj objekteve diplomatike dhe ushtarake, reagime të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, si dhe me angazhim të drejtpërdrejtë ushtarak nga Franca. Rreziku për furnizimin global me burime energjie ka shtyrë SHBA-në të paralajmërojë eskortë detare në Ngushtica e Hormuzit, ndërsa fuqitë evropiane po forcojnë praninë dhe mbrojtjen e interesave të tyre në rajon.
Një dron i dyshuar iranian goditi një parking pranë ndërtesës së Konsulatës së SHBA-së në Dubai, duke shkaktuar zjarr që u vu nën kontroll, pa raportime për të lënduar. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi sulmin dhe tha se i gjithë personeli është i sigurt, duke akuzuar Iranin për sulme të drejtpërdrejta ndaj përfaqësive diplomatike amerikane.
Në reagim ndaj rrezikut për transportin energjetik, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se, nëse është e nevojshme, marina amerikane do të nisë përcjelljen e tankerëve të naftës përmes Ngushtica e Hormuzit, për të garantuar furnizimin global me energji. Ai theksoi se SHBA do të sigurojë edhe garanci për tregtinë detare, ndërsa trafiku në këtë korridor kyç — nga ku kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë — është reduktuar ndjeshëm.
Ndërkohë, Franca ka njoftuar për një prani të shtuar ushtarake në rajon. Presidenti Emmanuel Macron bëri të ditur se Parisi do të dërgojë aeroplanmbajtësen e vetme franceze, Charles de Gaulle, në Mesdheun Lindor. Ai konfirmoi gjithashtu dërgimin e një fregate me sisteme mbrojtëse ajrore pranë brigjeve të Qipro dhe shtimin e masave të sigurisë në ambasadat franceze. Sipas Macron, rreth 400 mijë shtetas francezë ndodhen aktualisht në rajon, ndërsa fluturimet e riatdhesimit kanë nisur.
Presidenti Macron tha se Franca, së bashku me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, mbështet një zgjidhje të shpejtë të konfliktit dhe theksoi se roli i Francës është “rreptësisht mbrojtës”, me synim rikthimin e paqes sa më shpejt të jetë e mundur.
Në terren, Izraeli ka njoftuar për shkatërrimin e rreth 300 lëshuesve të raketave në Iran dhe ka goditur objektiva edhe në Liban. Sipas ushtrisë izraelite, qindra avionë luftarakë kanë kryer sulme të njëkohshme, ndërsa mbi 4,000 municione janë përdorur që nga fillimi i operacionit.
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, numri i viktimave në Iran ka arritur në 787.
SHBA paralajmëron eskortë për cisternat e naftës në Ngushtica e Hormuzit për të garantuar furnizimin global me energji dhe për të ruajtur trafikun në këtë korridor kyç.























