Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet, konflikti hyn në ditën e gjashtë
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet, konflikti hyn në ditën e gjashtë

Bardh Bekteshi/RTK

Izraeli dhe Irani kanë vazhduar me sulme të reja, ndërsa lufta po hyn në ditën e gjashtë. Izraeli ka vijuar sulmet në Liban dhe Iran, duke thënë se ka goditur një lëshues raketash në Qom dhe një sistem të mbrojtjes ajrore në Isfahan, ndërkohë që janë raportuar shpërthime edhe në kryeqytetin, Teheran.

Mediat në Liban kanë raportuar mbrëmë për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve pas dy goditjeve në kryeqytet, ndërsa mëngjesin e sotëm janë raportuar sulme në jug të Bejrutit, zonë që konsiderohet bastion i pjesëtarëve të Hezbollahut.

Edhe Irani ka vazhduar sulmet ndaj Izraelit. Sirenat janë lëshuar në Tel Aviv dhe Jerusalem, ndërsa në qiell janë parë shpërthime që besohet se janë shkaktuar nga sistemi mbrojtës izraelit, i cili ka ndërhyrë për të penguar raketat të arrijnë objektivat.

Media shtetërore iraniane ka raportuar se aeroplanë të forcave detare kanë goditur një tanker amerikan në pjesën veriore të Gjirit Persik, i cili sipas tyre është përfshirë nga flakët.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në Doha të Katarit, ndërsa autoritetet kanë nisur evakuimin e qytetarëve që jetojnë në afërsi të ambasadës amerikane si masë parandaluese.

Në të njëjtën kohë, disa vende evropiane dhe të tjera perëndimore po përballen me vështirësi në përpjekjet për të evakuuar qytetarët e tyre nga rajonet e përfshira në konflikt në Lindjen e Mesme. Mbyllja e hapësirave ajrore, rreziku i sulmeve me raketa dhe përshkallëzimi i luftimeve kanë vështirësuar organizimin e fluturimeve dhe krijimin e korridoreve të sigurta për largimin e civilëve. Diplomacitë e disa shteteve kanë paralajmëruar se procesi i evakuimit mund të zgjasë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vende të sigurta derisa të krijohen mundësi për largim.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, Senati me 47 vota për dhe 53 kundër nuk e ka miratuar projektligjin për kufizimin e fuqive të presidentit Donald Trump për të urdhëruar veprime të mëtejshme luftarake në Iran pa miratimin e Kongresit.

Për të njëjtën çështje, nesër pritet të votohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota