Diskutime SHBA–Rusi për ekonominë dhe energjinë
BKT
Rajoni dhe Bota

Diskutime SHBA–Rusi për ekonominë dhe energjinë

Bardhyl Bajrami/RTK

Përfaqësuesi i posaçëm i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për investime dhe bashkëpunim ekonomik me vendet e huaja, Kirill Dmitriev, ka mbërritur të mërkurën në Shtetet e Bashkuara për bisedime me përfaqësues të administratës amerikane.

Në rrjetet sociale, Dmitriev ka bërë të ditur se është takuar me drejtuesit e grupit të punës për bashkëpunim ekonomik mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, bisedimet janë përqendruar në projekte që ai i cilësoi si premtuese për rivendosjen e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në krizën aktuale në tregjet globale të energjisë.

Në takim kanë marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, këshilltari dhe njëkohësisht dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, si dhe këshilltari i lartë i Shtëpia e Bardhë, Josh Gruenbaum.

Në një reagim në rrjetet sociale, Dmitriev ka shkruar se shumë vende, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, po fillojnë të kuptojnë më mirë rolin kyç dhe, sipas tij, sistematikisht të rëndësishëm të gazit dhe naftës ruse në stabilitetin ekonomik global. Ai shtoi se sanksionet kundër Rusisë kanë treguar, sipas tij, një natyrë joefektive dhe shkatërruese.

Ndërkohë, emisari i presidentit Trump, Steve Witkoff, ka bërë të ditur në rrjetet sociale se palët kanë diskutuar një sërë çështjesh dhe janë pajtuar që kontaktet dhe bisedimet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota