Një i vrarë e disa të plagosur nga sulmi me dron në qytetin e Gazës
Bardhyl Bajrami/RTK
Një person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron izraelit në Qytetin e Gazës, në veri të Rripit të Gazës.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa, viktima humbi jetën kur droni goditi pranë rrethrrotullimit Haider, në pjesën perëndimore të qytetit. Mediat lokale raportojnë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa trupi i viktimës u copëtua, ndërsa ekipet e shpëtimit kërkuan në rrënoja për mbetjet e trupit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 11 tetor të vitit të kaluar, 649 persona janë vrarë dhe 1,730 të tjerë janë plagosur nga veprimet e forcave izraelite në këtë territor.
Në të njëjtën kohë, banorët e zhvendosur në qytetin e Gazës janë parë duke mbushur bidonë me ujë në radhë të gjata për shkak të mungesës së madhe të ujit të pijshëm. Agjencia Wafa raportoi se qyteti po përballet me mungesa të rënda të ujit, ushqimit dhe ndihmës humanitare.
Kriza është përkeqësuar pasi Izraeli mbylli korridoret humanitare dhe kalimet kufitare të Gazës më 28 shkurt, në një kohë kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen sulme të përbashkëta kundër Iranit.
Kalimi kufitar Kerem Abu Salem u rihap më vonë, por me qasje të kufizuar për ndihmat humanitare.
Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, numri i kamionëve me ndihma që hyjnë në Gazë që nga 28 shkurti është ulur me rreth një të tretën.
Ndërkohë, OKB ka paralajmëruar se mbyllja e kalimeve kufitare ka rritur edhe më shumë çmimet e ushqimeve në Gazë, duke e përkeqësuar krizën humanitare me të cilën përballet popullsia lokale.























