Trump paralajmëron sulme të reja në ishullin Kharg, Teherani kundërpërgjigj
Dardan Ramabaja/RTK
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar sulme të tjera në ishullin Kharg të Iranit dhe u ka bërë presion aleatëve për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për kalimin e naftës.
Trump kërcënoi me sulme të mëtejshme ndaj qendrës së eksportit të naftës në ishullin Kharg dhe i kërkoi aleatëve të vendosnin anije luftarake për të garantuar kalimin e lëndëve djegëse, ndërsa Teherani u zotua të intensifikonte përgjigjen e tij.
Me luftën SHBA-Izrael kundër Iranit në javën e tretë, Trump deklaroi se sulmet amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” pjesën më të madhe të ishullit dhe paralajmëroi për më shumë aksione, duke thënë për NBC News të shtunën se “Mund ta godasim atë edhe disa herë vetëm për qejf.”
Këto deklarata shënojnë një përshkallëzim të fortë, pasi më parë Trump kishte deklaruar se SHBA-të do të synonin vetëm objektivat ushtarake në Kharg. Ato gjithashtu ndikuan negativisht në përpjekjet diplomatike.
Administrata amerikane ka lënë mënjanë përpjekjet e aleatëve të Lindjes së Mesme për të hapur bisedime, thanë tre burime për Reuters, ndërsa konflikti vazhdon të përshkallëzohet.
Lufta nuk tregon shenja mbarimi, dhe presioni në tregjet e naftës rritet, ndërsa Irani duket se ka mbyllur pjesërisht Ngushticën e Hormuzit. Trump tha se Teherani mund të ishte i gatshëm për një marrëveshje për të ndaluar konfliktin, por se “kushtet nuk janë ende të mjaftueshme.”
Kapaciteti i Iranit për të bllokuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit – rrugë kyçe për një të pestën e naftës botërore – është shndërruar nga një rrezik i hershëm në një krizë urgjente që kërcënon ekonominë globale.
Trump shkroi në rrjetet sociale se, “vendet që marrin naftë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për kalimin, dhe ne do të ndihmojmë shumë”
“SHBA-të gjithashtu do të koordinohen me këto vende që gjithçka të shkojë shpejt, pa probleme dhe në mënyrë të sigurt”, tha ai.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se Irani do t’i përgjigjej çdo sulmi ndaj objekteve të tij energjetike. Ndërkohë, Gardat Revolucionare të Iranit njoftuan të dielën se kishin kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave në Izrael dhe tre bazave amerikane në rajon, duke i cilësuar ato “raundin e parë të hakmarrjes për punëtorët e vrarë në zonat industriale të Iranit”.
Arabia Saudite raportoi se kishte shkatërruar 10 dronë në Riad dhe në pjesën lindore të vendit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Lufta, që Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nisën më 28 shkurt, ka vrarë më shumë se 2,000 persona, kryesisht në Iran, sipas raporteve qeveritare dhe mediave shtetërore. Të paktën 15 persona u vranë kur një sulm ajror goditi një fabrikë frigoriferësh dhe ngrohësish në qytetin qendror iranian të Isfahanit, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars të shtunën.























