Analistët parashohin ndeshje me shumë raste te Liverpool-Galatasaray
Uran Krasniqi / RTKLive
Një ndeshje e hapur dhe me shumë raste, sipas analistëve të futbollit, pritet të zhvillohet në duelin mes Liverpool dhe Galatasaray në kuadër të ndeshjes së kthimit të 1/8 së finales në Champions League.
Trajneri i njohur kosovar, Rafet Prekazi, dhe ish-futbollisti Muhamet Dragusha, si mysafirë në RTK e kanë komentuar ndeshjen e kthimit, e cila vjen pas fitores 1-0 të Galatasaray në takimin e parë të zhvilluar një javë më parë.
Prekazi ka vlerësuar se skuadra angleze do të hyjë vrullshëm në takim, duke kërkuar gol të hershëm.
“Galatasaray e ka bilancin më të mirë me Liverpool, çuditërisht. Prej fillimit të ndeshjes Liverpool do të bëjë presion. Mbetet të shihet sa do të jetë në gjendje Galatasaray ta përballojë këtë. Kjo ka ndodhur në fundin e ndeshjes së parë, kur Galatasaray nuk ka mundur të dalë nga gjysmëfusha e vet”, ka thënë Prekazi.
Ai ka shtuar se anglezët e kanë obligim të shënojnë shpejt për të mos e komplikuar ndeshjen. “Nëse nuk ndodh kjo, atëherë gjërat do të vështirësohen për Liverpool. Sidoqoftë, pres një ndeshje të mirë, me shumë raste”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, Dragusha e ka parë përballjen si duel të dy filozofive të ndryshme të lojës.
“Do të kemi një përballje mes dy filozofive. Te Galatasaray e kërkojnë një shans dhe një gol. Këtë e kemi parë edhe ndaj Juventusit, ku janë shfaqur me dy fytyra, ndryshe në Stamboll e ndryshe në Torino”, është shprehur Dragusha.
Sipas tij, loja pritet të zhvillohet kryesisht në mesfushë, ku Liverpool do të ketë epërsi, ndërsa skuadra turke do të mbrohet dhe do të mundohet të godasë përmes kundërsulmeve, sidomos me sulmuesin Victor Osimhen.























