Hakmarrja e Iranit, raketat godasin Izraelin, Katarin dhe Arabinë Saudite
Sh.Çoçaj/RTKlive
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar pas një sulmi të Izraelit në fushën e gazit Pars Jugor, një nga zonat më të rëndësishme energjetike në botë, e cila ndahet midis Iranit dhe Katarit. Si pasojë, Irani ka nisur një seri hakmarrjesh, duke përfshirë sulme raketore ndaj objektivave në rajon, duke e kthyer situatën në një eskalim të rrezikshëm rajonal.
Hakmarrja e Iranit po zhvillohet pas sulmit të Izraelit në fushën e gazit Pars Jugor, një nga objektet kryesore energjetike të vendit dhe fusha më e madhe e gazit në botë, të cilën Irani e ndan me Katarin.
Teherani e ka cilësuar sulmin ndaj Parsit Jugor si një kalim të “vijës së kuqe”. Pas kësaj, autoritetet iraniane publikuan një listë me objektiva të mundshme dhe bënë thirrje për evakuim, ndërsa më pas nisën sulme ndaj objektivave në rajon.
Katari konfirmoi se një sulm me pesë raketa balistike iraniane goditi qendrën e gazit Ras Laffan, një nga objektet kryesore energjetike të vendit. Katër raketat u asgjësuan, ndërsa njëra goditi një zonë industriale dhe shkaktoi zjarr, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë, autoritetet raportojnë sulme ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite, Katarit dhe Izraelit. Irani konfirmoi vdekjen e Ali Larijanit, ndërsa Rusia ka dërguar informacione në Teheran.
Raportohet se të paktën një nga raketat balistike të qëlluara drejt Izraelit sonte kishte një bombë thërrmuese, sipas The Times of Israel. Objektivi ishte jugu i vendit, dhe deri tani nuk ka raportime për dëme apo viktima.
Agjencia e mbrojtjes civile e Arabisë Saudite njoftoi se katër persona u plagosën në një sulm iranian ndaj kryeqytetit. “Fragmentet nga raketat e rrëzuara shkaktuan lëndime dhe dëme të vogla materiale,” tha deklarata.
Gjithashtu, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se raketat u lëshuan nga Irani drejt Izraelit. “Sistemet e mbrojtjes po punojnë për të kapur kërcënimin. Në minutat e fundit, një paralajmërim u lëshua për zonat e prekura,” thuhet në njoftim.























