Ambasada e Iranit në Beograd: Bombardimet e NATO-s ishin të paligjshme
M.Shefkiu/RTKLive
Në kohën kur gjithë bota demokratike mbështeti dhe vazhdon ta konsideroj të drejt ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi më 24 mars 1999, për të ndaluar krimet në Kosovë, është Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Beograd që del kundër, madje fillimin e bombardimeve e cilëson si “agresion të paligjshëm” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Në deklaratën e publikuar më 24 mars, ambasada iraniane ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një fushatë 78-ditore që, sipas saj, u zhvillua pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se gjatë bombardimeve u goditën edhe objektiva civile, përfshirë shkolla dhe spitale.
“24 mars 1999: një datë që jeton në turp. 27 vjet më parë NATO nisi një agresion të paligjshëm 78-ditor kundër Serbisë”, thuhet në deklaratë.
Ambasada e Iranit ka bërë edhe një krahasim me zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme, duke pretenduar se “historia po përsëritet” me atë që e ka quajtur “agresion të paligjshëm dhe kriminal të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit”.
Në deklaratë theksohet se Serbia dhe Irani, sipas ambasadës, “kanë qëndruar si simbole të qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj presioneve të jashtme”.
Deklarata e ambasadës iraniane vjen në një kohë kur ndërhyrja e NATO-s në Kosovë më 1999 është konsideruar nga shumë vende demokratike si ndërhyrje për t’i dhënë fund represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit, i akuzuar për krime lufte.
Derisa Millosheviqi dëboi mbi 1 milionë shqiptarë, bëri dhjetëra maskara gjithandej Kosovës, Irani ka disa ditë që po vazhdon t’i sulmojë edhe vendet fqinje.























