Pakistani ia përcjellë propozimin e SHBA-së Iranit
BKT
Rajoni dhe Bota

Pakistani ia përcjellë propozimin e SHBA-së Iranit

Dardan Ramabaja / RTK

Pakistani i ka paraqitur Iranit një propozim nga Shtetet e Bashkuara ku ose Pakistani ose Turqia mund të jenë vende për bisedime të mundshme për të ulur tensionet në Gjirin Persik, ka deklaruar një zyrtar i lartë iranian për agjencinë e lajmeve Reuters të mërkurën.

Komentet, në kushte anonimiteti, ishin ndër shenjat e rralla se Teherani mund të shqyrtojë propozime diplomatike, pavarësisht këmbënguljes publike të mëparshme se nuk po zhvilloheshin bisedime dhe se nuk do të bënte asnjë marrëveshje me administratën e Presidentit Donald Trump.

Burimi iranian nuk zbuloi detaje të propozimit të kaluar nga Pakistani, apo nëse ishte i njëjtë me një kornizë 15-pikëshe të SHBA-së të raportuar më parë nga mediat. Ky burim ka shtuar se Turqia gjithashtu po "ndihmon në përfundimin e luftës dhe ose Turqia ose Pakistani po konsideroheshin si vendi i bisedimeve të tilla".

Çmimet e naftës ranë dhe aksionet u rimëkëmbën të mërkurën pas raportimeve se SHBA-të i kishin dërguar planin 15-pikësh Iranit, me investitorët që shpresonin për një fund të gati katër javëve të luftës që ka vrarë mijëra njerëz dhe ka ndërprerë furnizimet globale me energji.

Ndërkohe, tri burime nga kabineti izraelit thanë se kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu ishte informuar mbi propozimin, i cili sipas tyre përfshinte largimin e rezervave të uraniumit të pasuruar shumë nga Irani, ndalimin e pasurimit, frenimin e programit të raketave balistike dhe ndërprerjen e financimit për aleatët rajonalë.

Ndërkohë, Pentagoni po planifikon të dërgojë mijëra trupa në Gjirin Persik për t'i dhënë Trumpit më shumë mundësi për të urdhëruar një sulm tokësor, raporton Reuters.

Megjithatë, lufta ka vazhduar pa ndërprerje me sulmet ajrore kundër Iranit, apo në sulmet iraniane me dronë dhe raketa kundër Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së.

Irani i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Ndërkombëtare Detare se "anijet jo-armiqësore" mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit nëse koordinohen me autoritetet iraniane. Por në praktikë, vetëm nafta e Iranit dhe një numër i vogël anijesh nga vendet mike kanë kaluar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota