Kërkim intensiv për anëtarin e ekuipazhit amerikan të zhdukur në Iran
Bardhyl Bajrami / RTK
Forcat amerikane dhe iraniane po kërkojnë për një anëtar të zhdukur të ekuipazhit të një aeroplani luftarak amerikan F-15, i cili u rrëzua në jug të Iranit.
Sipas CBS, pjesëtari i humbur është oficeri i sistemeve të armëve, ndërsa piloti i aeroplanit është shpëtuar.
Autoritetet iraniane kanë vendosur një shpërblim për civilët që mund të ndihmojnë në gjetjen e tij “të gjallë”, sipas mediave shtetërore. Video e verifikuar nga SHBA tregon operacionin aktiv të kërkim-shpëtimit në territorin iranian.
Teherani ka njoftuar gjithashtu se ka rrëzuar një aeroplan të dytë amerikan mbi Gjirin Persik. Sipas mediave amerikane, një A-10 Warthog u qëllua gjatë misionit të kërkim-shpëtimit për F-15-ën e rrëzuar. Piloti i këtij aeroplani u detyrua të hidhej me parashutë dhe u shpëtua pak më pas.
Ndërkohë, Izraeli njofton se ka realizuar një “valë të re goditjesh” mbi objektiva kyçe ushtarake në Teheran. Ushtria izraelite thotë se ka shkatërruar një depo të mbrojtjes ajrore ku ruheshin raketa të destinuara për të goditur aeroplanë, si dhe një qendër të kërkimeve ushtarake të regjimit iranian.
Nga ana tjetër, në territorin izraelit, një person është lënduar nga copëzat e një rakete iraniane e cila u interceptua nga sistemi mbrojtës izraelit.























