NASA publikon imazhet e para të Tokës nga misioni Artemis II
Bardhyl Bajrami / RTK
NASA ka shpërndarë imazhet e para me rezolucion të lartë të Tokës, të realizuara nga ekuipazhi i Artemis II teksa anija Orion kaloi pikën e mesme të udhëtimit drejt Hënës.
Komandanti Reid Wiseman i bëri fotot “spektakolare”, pasi ekuipazhi përfundoi manovrën e fundit të motorëve që i vendosi në trajektoren drejt satelitit tonë natyror.
Sipas panelit online të NASA-s, rreth orës 07:00 BST, Orion ndodhej rreth 228,500 km larg Tokës dhe 132,000 km nga Hëna. Astronautja Christina Koch tha se ekuipazhi pati “gëzim kolektiv”, kur u njoftua për arritjen e këtij momenti në ditën e dytë të udhëtimit.
Fotografia e parë e quajtur “Hello, World”, tregon Atlantikun e kaltër, rrezatimin e atmosferës, aurorat polare dhe kontinentet e Tokës të dukshme nga një kënd i pazakontë, ndërsa planeti Venus shfaqet në këndin e poshtëm të djathtë.
Imazhet u realizuan pasi ekuipazhi përfundoi me sukses ndezjen trans-lunare që e nxori Orionin nga orbita e Tokës, ndërsa katër astronautët synojnë të përshkojnë mbi 200,000 milje drejt anës së largët të Hënës. Kjo është hera e parë që njerëzit largohen kaq shumë nga Toka që nga misioni Apollo 17 në vitin 1972.
Anija u nis nga Kennedy Space Center në Florida dhe pritet të kalojë prapa Hënës më 6 prill, ndërsa rikthimi në Tokë me ulje në Oqeanin Paqësor parashikohet më 10 prill.
Astronautët thanë për qendrën e kontrollit në Houston se ishin “ngjitur pas dritareve”. Duke fotografuar, ndërsa Wiseman kërkoi udhëzime se si t’i pastronte ato nga entuziazmi i ekuipazhit për të parë hapësirën. Ai e përshkroi sfidën e fotografimit nga distanca: “Sikur të përpiqesh të fotografosh Hënën nga oborri i shtëpisë”.
NASA publikoi edhe imazhe të Tokës të ndara mes ditës dhe natës, si dhe fotografi që tregojnë dritat e qyteteve në errësirë. Më pas agjencia publikoi një krahasim midis pamjes së Tokës të vitit 2026 dhe një fotografie të ngjashme të realizuar nga Apollo 17 në vitin 1972, duke theksuar se “Toka vazhdon të duket mahnitëse nga hapësira”.























