Përfundon misioni i shpëtimit në Iran
Dardan Ramabaja / RTK
Forcat amerikane kryen një operacion të guximshëm shpëtimi për një ushtarak të forcave ajrore prapa linjave armike, pasi Irani rrëzoi aeroplanin e tij luftarak, thanë zyrtarët të dielën.
Kjo zgjidhi një krizë për Presidentin Donald Trump, ndërsa ai po peshon mundësinë e përshkallëzimit të luftës, që tashmë është në javën e gjashtë. Ushtaraku i shpëtuar nga forcat speciale, të cilin Trump e përshkroi si kolonel, ishte oficeri i sistemeve të armatimit në aeroplanin e rrëzuar F-15.
"Gjatë orëve të fundit, Ushtria e Shteteve të Bashkuara kreu një nga operacionet më të guximshme të Kërkim-Shpëtimit në historinë e saj", ka thënë Trump në një deklaratë, duke shtuar se ushtaraku ishte plagosur, por "ai do të jetë krejtësisht mirë".
Oficeri ishte njëri nga dy anëtarët e ekuipazhit të aeroplanit luftarak, që Irani tha të premten se ishte rrëzuar nga mbrojtja e tij ajrore.
Garda Revolucionare të Iranit tha se disa aeroplanë u shkatërruan gjatë misionit të shpëtimit amerikan, raportoi agjencia e lajmeve Tasnim.
Mediat raportuan të premten se anëtari i parë i ekuipazhit ishte evakuar, duke shkaktuar një kërkim intensiv nga ana e Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për ushtarakun e dytë.
Zyrtarët iranianë kishin bërë thirrje për ndihmë nga qytetarët për ta gjetur atë, me shpresën për të fituar levë ndaj Uashingtonit në luftën që Trump dhe Izraeli nisën më 28 shkurt.
Trump ka kërcënuar se do ta përshkallëzojë konfliktin në ditët në vijim me sulme ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit.
Nëse Irani do ta kishte kapur ushtarakun, kriza e pengjeve që do të pasonte mund të kishte ndryshuar perceptimin e opinionit publik amerikan për një konflikt që, sipas sondazheve, tashmë ishte jopopullor.
Trump tha se ushtaraku u shpëtua "në malet e pa besa të Iranit", në atë që ai e quajti herën e parë në kujtesën ushtarake që dy pilotë amerikanë janë shpëtuar veçmas, thellë në territor armik.
Raportohet se gjatë evakuimit të ushtarkit të të dytë Irani, forcat amerikane u detyruan të shkatërrojnë të paktën një nga avionët, sepse ai kishte pësuar defekt.























