Vuçiq dhe Orban në linjë, gjetja e eksplozivit nxit polemika politike
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Pranë infrastrukturës së gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë është gjetur një sasi e madhe eksplozivi me fuqi të lartë shkatërruese, njoftoi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se për incidentin ka biseduar me kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili e konfirmoi këtë. Megjithatë, përveç versionit zyrtar, po shtohen edhe kritikat nga një pjesë e opinionit me vlerësime se rasti mund të përdoret për qëllime politike.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi se pranë vendbanimit Vellebit në komunën e Kanjizhës, ne Vojvodinë, janë gjetur dy çanta me sasi të mëdha eksplozivi, në afërsi të gazsjellësit që lidh Serbinë dhe Hungarinë. Sipas tij, materiali mund të rrezikonte sigurinë e qytetarëve dhe furnizimin me gaz. Ai shtoi se për këtë ka biseduar me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
“Ka gjurmë për të cilat nuk mund të flas. Është e qartë se lojërat gjeopolitike nuk do të na lënë të qetë dhe duhet të tregojmë nivelin më të lartë të gatishmërisë. Do të veprojmë pa mëshirë ndaj kujtdo që rrezikon infrastrukturën jetike të Serbisë,” tha Vuçiq. “I thashë kryeministrit Orban se do ta mbanim të informuar mbi hetimin,” shtoi ai.
Pas bisedës me presidentin serb, Orbqn thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes, duke theksuar se është gjetur një “pajisje e fuqishme shpërthyese” pranë gazsjellësit. Ministri i jashtëm hungarez Peter Sijarto e cilësoi incidentin si sulm ndaj sovranitetit të Hungarisë dhe paralajmëroi pasoja për furnizimin me gaz.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se janë gjetur eksploziv dhe pajisje për përdorimin e tij, pranë infrastrukturës së gazit. Policia dhe ushtria po zhvillojnë operacion të gjerë kërkimi me mbështetje ajrore dhe ekipe speciale.
Megjithatë, incidenti ka nxitur dyshime dhe reagime. Ngjarja ndodhi vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare në Hungari, ku sondazhet tregojnë avantazh të opozitës. Lideri opozitar Peter Magjar deklaroi se kishte paralajmëruar më herët për një skenar të tillë, duke akuzuar pushtetin për krijim paniku dhe manipulim politik.
Dyshime janë shprehur edhe në Serbi. Kryetari i Partisë Demokratike Srgjan Millivojeviq e cilësoi rastin si “mashtrim politik dhe i sigurisë”.
“Vuçiq duket se po përpiqet t’i pëlqejë modelit të tij duke i ofruar atë që di të prodhojë më së miri, frikë, manipulim dhe ndërtim të një ndjenje kërcënimi si mjet elektoral. Ajo që Belivuku i ishte Vuçiqi, tani Vuçiq përpiqet të jetë për Orbanin”, thuhet në deklaratën e Millivojeviq.
Aktorë të tjerë opozitarë kërkuan hetim të pavarur dhe transparent. Sipas tyre, “pushteti aktual në Serbi nuk ka kredibilitet kur bëhet fjalë për situata të tilla, duke pretenduar se për vite me radhë ka ndërtuar marrëdhënie politike me liderë autokratë, me qëllim që të mbahen reciprokisht në pushtet”.
Reagime kanë ardhur edhe nga Evropa. Zyrtarë dhe eurodeputetë theksuan se koha e incidentit para zgjedhjeve është shumë indikative. Eurodeputeti nga Austria Helmut Brendshteter reagoi ndaj deklaratave të Orbanit. “Nuk mund të shpikje një histori edhe më idiote”, shkroi ai ne Iks.
Demokratët evropianë paralajmëruan për një skenar të mundshëm “false flag” dhe vlerësuan se koha e incidentit, në prag të zgjedhjeve në Hungari, është politikisht indikative dhe flet më shumë për ruajtjen e pushtetit sesa për sigurinë.























