Sulmi i Izraelit ndaj Libanit tensionon armëpushimin SHBA–Iran
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulmi i Izraelit ndaj Libanit tensionon armëpushimin SHBA–Iran

Flutura Bekqeli / RTK

Izraeli nisi të mërkurën sulmet e tij më të mëdha në Liban që nga fillimi i luftës. Autoritetet libaneze thonë se sulmet kanë vrarë të paktën 182 persona dhe kanë plagosur 890 të tjerë.

Izraeli tha se sulmet e tij kishin në shënjestër grupin Hezbollah të mbështetur nga Irani, ndërsa kryeministri i Libanit tha se goditën civilë të paarmatosur. Irani pretendon se kjo ishte një shkelje e armëpushimit.

Pakistani, i cili ndërmjetësoi bisedimet dhe i paraqiti propozimin dyjavor të armëpushimit Presidentit të SHBA-së Donald Trump, ka thënë se Libani është përfshirë në armëpushim. Por Izraeli dhe SHBA-të po thonë të kundërtën.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, i quajti sulmet e Izraelit ndaj Libanit "krejtësisht të gabuara", derisa reagime ka pasur nga e gjithë Evropa, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën.

Ne zhvillime tjera, zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të shkojnë në Islamabad për bisedime që fillojnë të shtunën. Delegacioni i Teheranit do të mbërrijë në qytet të enjten në mbrëmje, tha ambasadori i Iranit në Pakistan. Trump ka thene se të gjitha anijet, avionët, armët dhe personeli ushtarak amerikan do të mbeten "në vend, brenda dhe përreth Iranit" derisa të arrihet një marrëveshje e plotë.

Ne anen tjetre, trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit pretenduan se transporti detar përmes Ngushticës kritike të Hormuzit u ndal pas sulmit masiv të Izraelit në Liban të mërkurën, të cilin Irani e quajti një shkelje të armëpushimit.

Pas arritjes së armëpushimit SHBA- Iran të martën vonë ka pasur raportime kontradiktore rreth asaj që Irani ra dakord në të vërtetë. Trump këmbëngul se marrëveshja përfshin "jo armë bërthamore për Iranin" dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Të mërkurën, anijeve iu tha nga Irani se ngushtica "mbetet e mbyllur" - ndërsa SHBA-të këmbëngulën se kishte pasur një "rritje" të trafikut, derisa zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance ritheksoi se nëse Irani nuk i mban premtimet për të rihapur ngushticën, armëpushimi do të përfundojë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota