Armëpushimi i shumëpritur me Iranin po rrezikohet nga Teherani
RTK
Armëpushimi i shumëpritur me Iranin po rrezikohet nga Teherani, i cili kërkon që Izraeli të ndalë të gjitha operacionet kundër Hezbollah në Libani, përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli thonë se Libani nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Përderisa operacionet luftarake brenda Iranit janë momentalisht të pezulluara, forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet ajrore dhe ofensivën tokësore në Liban, duke e vënë kështu në rrezik armëpushimin e arritur me Iranin.
Që nga orët e mëngjesit, aeroplanët izraelitë kanë kryer valë pas vale të sulmeve ajrore në pjesë të ndryshme të Libanit, përfshirë edhe kryeqytetin Bejruti, ku janë goditur caqe të ndërlidhura me grupin militant Hezbollah. Njëkohësisht, forcat mbrojtëse të Izraelit kanë vazhduar operacionet në jug të Libanit, ku ende veprojnë grupe të luftëtarëve të Hezbollahut.
Sipas burimeve nga Libani, gjatë ditës, si pasojë e operacioneve izraelite janë vrarë së paku 120 persona dhe janë plagosur më shumë se 1000 të tjerë, duke e bërë këtë ditën më vdekjeprurëse në Liban gjatë këtij viti.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me sulme ndaj vendeve të rajonit dhe mund ta mbyllin përsëri ngushticën e Ngushtica e Hormuzit, në rast se Izraeli nuk i ndalon menjëherë operacionet në Liban.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë deklaruar se marrëveshja e armëpushimit me Iranin nuk përfshin operacionet izraelite kundër Hezbollahut në Liban dhe se kjo çështje nuk ka qenë pjesë e negociatave që çuan deri te arritja e saj.
Këto deklarata kanë nxitur reagime nga diplomatë iranianë, të cilët kanë akuzuar SHBA-në për shkelje të kushteve të armëpushimit.























