SHBA dhe Irani mund t’i rifillojnë bisedimet, pavarësisht bllokadës
Dardan Ramabaja/RTK
SHBA-ja dhe Irani mund t’i rifillojnë bisedimet për luftën këtë javë, pavarësisht bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, raportojnë burime për Reuters.
SHBA dhe Irani mund t’i rifillojnë bisedimet këtë javë, pavarësisht bllokadës së porteve
Sipas informacioneve, ekipet negociuese të dy vendeve mund të kthehen në Islamabad brenda ditëve në vijim, pasi negociatat e zhvilluara gjatë fundjavës përfunduan pa rezultat, duke shtyrë Uashingtonin të vendosë një bllokadë detare mbi portet e Iranit.
Megjithëse masa amerikane ka shkaktuar reagime të ashpra nga Teherani, sinjalet se angazhimi diplomatik mund të vazhdojë kanë ndikuar në qetësimin e tregjeve të naftës, ku çmimet referuese ranë nën 100 dollarë për fuçi të martën.
Bisedimet e fundit në Islamabad, të konsideruara si më të nivelit të lartë mes dy kundërshtarëve që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, përfunduan pa përparim, duke ngritur dyshime për mbijetesën e armëpushimit dyjavor, i cili ka edhe një javë deri në skadim.
Megjithatë, një burim i përfshirë në procesin negociues ka deklaruar se të dy palët mund të rikthehen në tryezën e bisedimeve që në fund të kësaj jave, pasi një propozim u është dërguar Uashingtonit dhe Teheranit për ridërgimin e delegacioneve.
“Nuk është caktuar një datë e saktë, me delegacionet që do të qëndrojnë të hapura nga e premtja deri të dielën”, ka thënë një burim i lartë iranian.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani kishte qenë në kontakt të hënën dhe se dëshironte të arrinte një marrëveshje, por theksoi se ai nuk do të miratonte asnjë marrëveshje që do t’i lejonte Teheranit të posedonte një armë bërthamore.
Kriza është thelluar pasi, që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt, Irani në praktikë ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet, përveç atyre të veta, duke deklaruar se kalimi do të lejohej vetëm nën kontroll iranian dhe kundrejt një tarife.
Pasojat e kësaj lëvizjeje kanë qenë të mëdha, pasi gati një e pesta e naftës dhe gazit botëror më herët kalonte përmes kësaj rruge strategjike detare.
Si kundërmasë, ushtria amerikane filloi të hënën të bllokojë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane. Nga ana tjetër, Teherani ka kërcënuar se mund të godasë anijet që kalojnë në ngushticë dhe ka paralajmëruar hakmarrje edhe ndaj porteve të vendeve fqinje të Gjirit.























