Aksident hekurudhor në Danimarkë, disa persona në gjendje kritike
Bardhyl Bajrami / RTK
Dy trena janë përplasur ballë për ballë në një kalim hekurudhor në veriperëndim të Kopenhagë, duke lënë pesë persona në gjendje kritike dhe 12 të tjerë me lëndime më të lehta.
Në bord ndodheshin gjithsej 38 persona. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në një linjë që lidh zonat Hillerød dhe Kagerup, ndërsa të plagosurit u transportuan me helikopter dhe ambulanca drejt spitaleve.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende shkakun e përplasjes, por hetimet kanë nisur.
Ekspertët sugjerojnë se mund të ketë ndodhur një gabim njerëzor, ku njëri tren mund të ketë kaluar në linjë të gabuar.
Kryetarja e komunës Gribskov, Trine Egetved, e cilësoi ngjarjen si tronditëse, duke theksuar se duhet të merren masa që aksidente të tilla të mos përsëriten më.























