Whitaker i kërkon Serbisë që të rreshtohet me Perëndimin
Sh.Çoçaj/RTKlive
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, ka porositur se Serbia duhet të përmbahet nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurt, duke theksuar se e ardhmja strategjike e Serbisë, duhet të jetë “e rreshtuar me Perëndimin”.
“Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur”, shkroi ai në X më 23 prill, duke theksuar se këtë mesazh ia përcolli presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd të zhvilluar një ditë më parë.
"Një takim konstruktiv me presidentin Vuçiq për nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet SHBA-Serbi. Ne e vlerësojmë rolin e Serbisë në stabilitetin rajonal dhe presim me padurim stërvitjen e përbashkët Serbi-NATO në maj. Por, isha i qartë: Bashkëpunimi i mbrojtjes dhe sigurisë i Serbisë me partnerë të pabesueshëm krijon varësi strategjike afatgjata që janë të vështira për t'u zgjidhur dhe ndërlikon bashkëpunimin në të ardhmen. Për një partneritet modern dhe me vizion, e ardhmja strategjike e Serbisë duhet të jetë në përputhje me Perëndimin. Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur", ka shkruar Whitaker.























