Zgjatet për tre javë armëpushimi Izrael–Liban,rriten tensionet rreth Iranit
BKT
Rajoni dhe Bota

Zgjatet për tre javë armëpushimi Izrael–Liban,rriten tensionet rreth Iranit

Flutura Bekqeli /RTK

Një armëpushim i brishtë mes Izraeli dhe Libani është zgjatur për tre javë, pas takimeve të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë. Fillimisht, palët kishin rënë dakord për një armëpushim 10-ditor që hyri në fuqi më 16 prill.

Konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hezbollah mbetet një nga çështjet kryesore që ndërlikon përpjekjet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi zgjatjen e armëpushimit, duke refuzuar të japë një afat kohor për zgjidhjen e krizës.

Pas bisedimeve në Uashington, Izraeli dhe Libani kanë kërkuar që SHBA-të të vazhdojnë ndërmjetësimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura.

Sa i përket Iranit, Trump kritikoi mungesën e një lidershipi të qartë në procesin e negociatave, ndërsa burime për CNN raportojnë se zyrtarët ushtarakë amerikanë po hartojnë plane për të goditur kapacitetet iraniane në Ngushtica e Hormuzit në rast të përshkallëzimit të situatës. Sipas tij, SHBA-të kanë “kontroll të plotë” mbi këtë zonë strategjike.

Në zhvillime të tjera, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se kërcënimet nga Irani mund të bëhen më të rrezikshme nëse ekspertët bërthamorë nuk përfshihen në negociata.

Ajo theksoi se ekziston rreziku që çdo marrëveshje e re të jetë më e dobët se marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, nga e cila SHBA-të u tërhoqën gjatë mandatit të parë të Trump.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota