Rrezikohet armëpushimi, SHBA dhe Irani përplasen për Ngushticën e Hormuzit
Dardan Ramabaja /RTK
Armëpushimi në Lindjen e Mesme vihet në pikëpyetje mes përshkallëzimit SHBA–Iran në Ngushticën e Hormuzit
Armëpushimi i brishtë në Lindjen e Mesme është vënë në rrezik, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer sulme të reja në kuadër të tensioneve për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ka shkatërruar gjashtë anije të vogla iraniane, si dhe raketa e dronë, pas vendosjes së forcave detare për shoqërimin e tankerëve përmes ngushticës. Presidenti Donald Trump e ka quajtur këtë operacion “Projekti i Lirisë”.
Nga ana tjetër, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, ka deklaruar se siguria e transportit detar dhe energjisë është kërcënuar nga shkeljet e armëpushimit nga SHBA dhe aleatët e saj. Ai ka theksuar se veprimet e fundit po rrisin rrezikun për destabilizim të mëtejshëm në rajon.
Raportime nga Gjiri Persik bëjnë të ditur se disa anije tregtare kanë raportuar shpërthime ose zjarre, ndërsa një port nafte në Emiratet e Bashkuara Arabe është goditur nga raketa iraniane. SHBA ka deklaruar se këto sulme janë pjesë e një përshkallëzimi të koordinuar, ndërsa Irani ka mohuar disa prej akuzave.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike ka vendosur kontroll efektiv mbi ngushticën përmes mjeteve ushtarake, përfshirë mina, dronë dhe raketa, ndërsa SHBA është përgjigjur me masa detare dhe bllokim të porteve iraniane.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka deklaruar se nuk ekziston zgjidhje ushtarake për krizën dhe ka thënë se bisedimet e paqes po vazhdojnë me ndërmjetësim të Pakistanit, duke paralajmëruar SHBA-në dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për rrezikun e përshkallëzimit.
Ndërkohë, SHBA ka thënë se disa anije tregtare kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit me mbështetje të marinës amerikane, ndërsa Irani e ka mohuar këtë. Tensionet mbeten të larta, me akuza të ndërsjella për sulme ndaj anijeve dhe shkelje të armëpushimit.























