SHBA: Armëpushimi me Iranin vazhdon, pavarësisht përplasjeve në Hormuz
Bardhyl Bajrami / RTK
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se armëpushimi me Iranin “nuk ka përfunduar”, edhe pse të dyja palët kanë shkëmbyer sulme në Ngushticën e Hormuzit.
Ai akuzoi Iranin për “shantazh ndërkombëtar”, duke theksuar se operacioni amerikan “Project Freedom” synon të sigurojë kalimin e anijeve dhe të rikthejë lirinë e lundrimit.
Sipas SHBA-së, Irani ka sulmuar me raketa dhe dronë anije ushtarake dhe komerciale, ndërsa mbi 22 mijë marinarë mbeten të bllokuar në rajon. Megjithatë, zyrtarët amerikanë thonë se sulmet iraniane mbeten nën pragun që do të çonte në rifillimin e luftës së plotë.
Nga ana tjetër, negociatori kryesor iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se Irani “sapo ka filluar” dhe do të vazhdojë të mbajë kontrollin mbi ngushticën, edhe nëse kjo është e papranueshme për SHBA-në. Ai theksoi se Teherani është i gatshëm të përdorë masa të tjera për të përforcuar pozicionin e tij.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump mbështet operacionin “Project Freedom”, i cili përdor ushtrinë për të shoqëruar anijet tregtare jashtë zonës së bllokuar, duke insistuar se misioni është mbrojtës dhe i përkohshëm.























