Kastrioti, finalisti i parë i pley-off-it
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Kastrioti është finalisti i parë i pley-off-it në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Kastrioti, që e fitoi Kupën e Kosovës, në gjysmëfinale të pley-off-it e eliminoi Vëllaznimin e Gjakovës.
Fitoren e dytë ferizajasit e shënuan të mërkurën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, me rezultatin 43:34.
Katër ditë më parë në Ferizaj, Kastrioti fitoi me rezultat 41:27.
Yassine Henahen u shqua me efikasitet në gjysmëfinalen e dytë. Ai i realizoi dhjetë gola për Kastriotin.
Shtatë i shënoi Festim Mustafa, e gjashtë Felippe Teixeira.
Te Vëllaznimi, 13 gola i shënoi Ardi Halili, kurse tetë Florian Rexha.
Stinorin e rregullt Kastrioti e përfundoi në vendin e parë, kurse Vëllaznimi në të katërtin.
Në finale, Kastrioti takohet me Rahovecin apo Besa Famgasin.























