Trump përfundon vizitën në Kinë, në fokus tregtia, Irani dhe Tajvani
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump përfundon vizitën në Kinë, në fokus tregtia, Irani dhe Tajvani

Bardhyl Bajrami /RTK

Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduar vizitën shtetërore në Kinë pas dy ditësh takimesh me presidentin kinez Xi Jinping, ku në fokus ishin marrëdhëniet tregtare, Irani, Tajvani dhe bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve.

Të dy liderët e cilësuan vizitën si të rëndësishme, ndërsa bisedimet u interpretuan si një afrim i kujdesshëm mes Uashingtonit dhe Pekinit në raportet dypalëshe.

Trump e vlerësoi vizitën si “shumë të suksesshme, të paharrueshme dhe me rëndësi botërore”, ndërsa mediat shtetërore kineze raportuan se Xi Jinping e përshkroi atë si “vizitë historike dhe përcaktuese”.

Gjatë takimeve u diskutuan çështje të tregtisë, naftës, Iranit dhe Tajvanit. Trump deklaroi se Xi kishte premtuar të mos furnizojë Iranin me pajisje ushtarake, si dhe tha se Kina është e interesuar për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe blerjen e naftës amerikane. Ai shtoi gjithashtu se Pekini do të blejë rreth 200 avionë të kompanisë Boeing, megjithëse nuk janë konfirmuar marrëveshje konkrete.

Një nga temat kryesore mbeti Tajvani, ku Xi Jinping paralajmëroi se çështja e tij është “tema më e rëndësishme” në marrëdhëniet SHBA–Kinë dhe se çdo keqmenaxhim mund të sjellë “situatë shumë të rrezikshme”. Ministria e Jashtme e Tajvanit reagoi duke e cilësuar Kinën si “rrezikun kryesor për paqen dhe stabilitetin rajonal”.

Vizita u pa edhe si përpjekje e Kinës për të forcuar imazhin e saj si fuqi globale stabile, në një kohë kur disa aleatë tradicionalë të SHBA-së po afrohen më shumë me Pekinin. Gjatë qëndrimit në Pekin, Trump u prit në kompleksin Zhongnanhai, një hapësirë e rrallë për vizita diplomatike, që sipas vëzhguesve thekson rëndësinë e takimit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota