Izraeli dhe Libani zgjasin armëpushimin në 45 ditë
atsh
Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të zgjasin për 45 ditë armëpushimin e brishtë mes tyre, pas dy ditësh negociatash në Uashington, njoftoi sot Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), raportoi BBC.
Zëdhënësi i DASH-it, Tommy Pigott, tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që negociatat të hapin rrugën drejt një paqeje afatgjatë mes dy vendeve, njohjes reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe forcimit të sigurisë përgjatë kufirit të përbashkët.
Armëpushimi ishte shpallur më 16 prill nga presidenti amerikan, Donald Trump, por tensionet dhe përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit bëri të ditur se sulmet ajrore izraelite në jug të vendit kanë lënë të vrarë 22 persona, në mesin e tyre tetë fëmijë.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, raundi i ardhshëm politik i bisedimeve pritet të nisë në qershor, ndërsa më 29 maj në Pentagon do të krijohet një linjë e posaçme komunikimi ushtarak me delegacione nga të dyja palët.
Kryeministri libanez, Nawaf Salam, deklaroi se synon të sigurojë mbështetje arabe dhe ndërkombëtare për të forcuar pozitën e Bejrutit në dialogun me Izraelin.
Megjithëse armëpushimi mbetet në fuqi, në kufirin jugor të Libanit vazhdojnë pothuajse çdo ditë shkëmbimet e zjarrit.
Izraeli ka shtuar sulmet ajrore dhe bombardimet me artileri në jug të Libanit, duke pretenduar se objektiv i tyre janë luftëtarët dhe infrastruktura e Hezbollahut.
Ndërkohë, autoritetet libaneze e akuzojnë Izraelin për sulme ndaj civilëve dhe ekipeve mjekësore, akuza që Tel Avivi i ka mohuar.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se synon krijimin e një zone tampon në jug të Libanit për të parandaluar sulme të reja nga Hezbollahu.
Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se disa operacione ushtarake mund të përbëjnë krime lufte, pretendim që Izraeli e ka hedhur poshtë.
Konflikti shpërtheu më 2 mars, dy ditë pas sulmit të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Si reagim, Hezbollahu kreu sulme raketore ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli nisi sulme të gjera ajrore dhe një ofensivë tokësore në jug të Libanit.
Sipas autoriteteve libaneze, të paktën 2.896 persona kanë humbur jetën në Liban që nga fillimi i luftimeve, ndërsa Izraeli ka raportuar 22 viktima, përfshirë 18 ushtarë dhe katër civilë.























