SHBA kryejnë sulm ndaj ISIS-it në Nigeri
Luan Qorraj / RTK
Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në koordinim me ushtrinë nigeriane, kanë kryer një seri të sulmeve ajrore kundër caqeve të forcave të ISIS-it në Nigerinë veri-lindore, ku, ky grup terrorist, zgjeroi prezencën e vet gjatë viteve të kaluara.
Sipas raporteve, këto sulme kanë qenë të suksesshme dhe gjatë tyre janë shkatërruar pika të rëndësishme të logjistikës së ISIS-it dhe është neutralizuar një numër i madh i luftëtarëve të këtij grupi.
Këto sulme erdhën dy ditë pasi që u bë e ditur se si pasojë e sulmeve ajrore amerikane, në Nigeri, është vrarë njëri prej udhëheqësve më të rëndësishëm të ISIS-it, Abu-Bilal al-Minuki, i cili besohet të ketë qenë personi i dytë me rëndësi brenda këtij grupi terrorist.
Përveç tij, gjatë po të njëjtit sulm, janë vrarë edhe disa figura tjera të rëndësishme të ISIS-it dhe besohet se neutralizimi i tyre do të krijon vakuum në udhëheqësinë e ISIS-it.
Gjithashtu është bërë e ditur se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një numër të oficerëve dhe ekspertëve në Nigeri ku do të ndihmojnë në trajnimin e forcave lokale si dhe në koordinim rreth operacioneve të ardhshme kundër ISIS në Nigeri.
Pas humbjeve në Siri, Irak dhe pjesë tjera të lindjes së mesme, një pjesë e udhëheqësisë së mbetur të ISIS-it është zhvendosur në Afrikë ku, gjatë viteve të kaluara, kanë filluar të rindërtojnë rrjetin terrorist dhe të mobilizojnë luftëtarë të ri.
Operacionet në Nigeri kanë për qëllim shkatërrimin e celulave të ISIS-it në atë shtet dhe parandalimin e përhapjes në vendet tjera.























