Trupat e katër zhytësve italianë të zhdukur gjenden në Maldive
BKT
Foto: NBC News
Rajoni dhe Bota

Trupat e katër zhytësve italianë të zhdukur gjenden në Maldive

G.K/RTKlive

Trupat e katër zhytësve italianë të zhdukur në një aksident tragjik me zhytje në shpellë në Maldive janë gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit, kanë konfirmuar autoritetet. Ngjarja ka ndodhur në atolin Vaavu, ku një grup zhytësish ishte futur në një zonë të thellë nënujore dhe nuk kishte dalë më në sipërfaqe

Sipas autoriteteve, trupat u gjetën brenda një shpelle në thellësi rreth 60 metrash në atolin Vaavu, nga një ekip i përbashkët zhytësish finlandezë dhe maldivianë.

Një prej viktimave të grupit ishte gjetur më herët, menjëherë pas aksidentit që ndodhi të enjten, ndërsa katër të tjerët mbetën të zhdukur deri në momentin e fundit të kërkimeve.

Një zhytës maldivian i ekipit të kërkim-shpëtimit ka humbur jetën gjatë operacioneve për gjetjen e trupave, duke e rënduar më tej tragjedinë.

Autoritetet maldiviane njoftuan se trupat e gjetur ndodhen në pjesën më të thellë të shpellës dhe se operacionet për nxjerrjen e tyre do të vazhdojnë në ditët në vijim, për shkak të kushteve të vështira nën ujë.

Sipas tyre, grupi i zhytësve kishte leje për kërkime shkencore dhe zhytje deri në 50 metra thellësi, por hyrja në shpellë ku ndodhi aksidenti nuk ishte e përfshirë në projekt-propozim.

Ndërkohë, Universiteti i Gjenovës ka deklaruar se nuk ka miratuar zhytje të thella apo aktivitete të tilla si pjesë e kërkimit shkencor, duke theksuar se zhytja është kryer në mënyrë private dhe jashtë autorizimit institucional, shkruan BBC.

Grupi përfshinte anëtarë të një ekipi shkencor të Universitetit të Gjenovës, mes tyre profesoresha e ekologjisë Monica Montefalcone, vajza e saj Giorgia Sommacal, biologu detar Federico Gualtieri, studiuesja Muriel Oddenino dhe instruktori i zhytjes Gianluca Benedetti.

Hetimet për shkaqet e aksidentit dhe rrethanat e sakta të ngjarjes janë duke vazhduar nga autoritetet përkatëse.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota