NATO rrëzon dron ukrainas mbi Estoni, Ukraina kërkon falje për incidentin
G.K/RTKlive
Një avion luftarak i NATO-s ka rrëzuar një dron që besohet të ketë qenë ukrainas mbi territorin e Estonisë, në një incident të ndodhur të martën.
Sipas autoriteteve estoneze, F-16 i angazhuar në misionin e policimit ajror të NATO-s në Baltik ndërhyri pasi droni devijoi nga kursi i tij.
Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur, tha se “duke parë trajektoren e dronit, vendosëm ta rrëzonim”. Ai shtoi se “me shumë gjasë ishte një dron që synonte objektiva në Rusi”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, kërkoi falje për incidentin, duke theksuar se ekspertë ukrainas dhe estonezë po punojnë për të parandaluar raste të ngjashme. Ai tha se Ukraina mbetet në bashkëpunim të ngushtë me Estoninë dhe vendet baltike për hetimin e rastit. Tykhyi gjithashtu pretendoi se Rusia po devijon qëllimisht dronët ukrainas drejt vendeve baltike përmes luftës elektronike.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) akuzoi Ukrainën se po përgatit sulme nga territori i vendeve baltike dhe paralajmëroi për “hakmarrje”.
Letonia dhe Ukraina i kanë mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si dezinformim. Kryeministrja e Letonisë, Evika Siliņa, tha se vendi i saj “kurrë nuk ka lejuar përdorimin e territorit apo hapësirës ajrore për sulme ndaj Rusisë”.
Ndërkohë, Ukraina theksoi se vepron në bazë të të drejtës për vetëmbrojtje dhe se objektivat e saj janë në territorin rus.
Moska ka rritur kërcënimet ndaj vendeve baltike për shkak të sulmeve me dronë ndaj Rusisë, duke paralajmëruar “sulme hakmarrëse”.
Ukraina ka deklaruar se Rusia po përdor propagandë dhe dezinformim në lidhje me incidentet me dronë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia po përgatit sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj qendrave të vendimmarrjes./ Burimi: AP























