Rusia dhe Kina nënshkruajnë deklaratë për rendin shumëpolar
BKT
Rajoni dhe Bota

Rusia dhe Kina nënshkruajnë deklaratë për rendin shumëpolar

Bardhyl Bajrami / RTK

Presidentët Putin dhe Xi zhvilluan takime të zgjeruara në Pekin, ku nënshkruan një deklaratë për forcimin e koordinimit strategjik dhe krijimin e një “rendi të ri shumëpolar botëror”.

Dy liderët theksuan nevojën për një sistem ndërkombëtar më “të drejtë dhe të balancuar”, duke kundërshtuar atë që e quajtën “hegjemoni e njëanshme” në politikën globale. Xi deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur “nivelin më të lartë të partneritetit strategjik”.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik. Putin tha se Rusia do të vazhdojë furnizimin e pandërprerë me naftë dhe gaz për Kinën, ndërsa Moska shpreson në avancimin e projektit të gazsjellësit “Power of Siberia 2”, i cili do të transportojë gaz nga Siberia drejt Kinës përmes Mongolisë. Xi njoftoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në inteligjencën artificiale dhe inovacionin teknologjik.

Dy vendet pritet të nënshkruajnë mbi 20 marrëveshje të tjera në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë dhe teknologjinë. Ndërkohë, Kina konfirmoi blerjen e 200 aeroplanëve të kompanisë Boeing, si pjesë e marrëveshjeve tregtare me SHBA-në, derisa Pekini dhe Uashingtoni po diskutojnë edhe vazhdimin e armëpushimit tarifor.

Gjatë vizitës, Putin nuk përjashtoi mundësinë e një takimi me presidentin amerikan Donald Trump në samitin e Asia-Pacific Economic Cooperation që do të mbahet në nëntor në Shenzhen. Në të njëjtën kohë, i dërguari amerikan për paqe, Steve Witkoff, pritet të vizitojë Rusinë për bisedime lidhur me luftën në Ukrainë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota