19 persona të vrarë nga sulmet izraelite në Liban
Bardhyl Bajrami / RTK
Ministria e Shëndetësisë e Libanit bëri të ditur se të paktën 19 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në jug të vendit.
Dhjetë prej tyre, përfshirë tre fëmijë dhe tre gra, humbën jetën kur një sulm goditi një shtëpi në qytetin Deir Qanoun. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e re.
Sipas autoriteteve libaneze, në distriktet Nabatieh dhe Tyre u vranë edhe nëntë persona të tjerë dhe 29 u plagosën si pasojë e bombardimeve izraelite. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende mbi këto sulme.
Konflikti u përshkallëzua më 2 mars, kur Hezbollah nisi sulme me raketa ndaj Izraelit në kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikano-izraelite që vranë liderin suprem të Iran. Edhe pse javën e kaluar SHBA-ja njoftoi zgjatjen e armëpushimit mes Libanit dhe Izraelit për 45 ditë, palët kanë vazhduar shkëmbimin e zjarrit, sidomos në jug të Libanit.
Ndërkohë, Hezbollah tha se luftëtarët e tij u përleshën me forcat izraelite pranë qytetit Haddatha dhe pretendoi se kanë shkatërruar një tank izraelit. Grupi po ashtu deklaroi se ka sulmuar pozicione ushtarake izraelite dhe sistemet e mbrojtjes ajrore Iron Dome pranë kufirit me Izraelin verior.
Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se numri i të vrarëve nga sulmet izraelite që nga marsi ka kaluar mbi 3 mijë persona.























