Aston Villa i jep fund pritjes së gjatë për trofe në Evropë
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar,22: 56 ) - Aston Villa i ka dhënë fund pritjes tridhjetëvjeçare për një trofe evropian, pasi është shpallur kampione e Europa League duke e mposhtur me rezultat 3:0 Freiburg në finalen e zhvilluar në stadiumin “Besiktas Park” në Stamboll.
Skuadra angleze, e drejtuar nga trajneri Unai Emery, ka përsëritur kështu suksesin historik të vitit 1982, kur kishte fituar Kupën Evropiane ndaj Bayern Munich.
Për Emeryn, ky është trofeu i pestë në Europa League, duke konfirmuar edhe një herë reputacionin e tij si një nga trajnerët më të suksesshëm në këtë garë.
Nga ana tjetër, Freiburg ka qenë shumë pranë historisë, por skuadra gjermane nuk ia ka arritur ta përballojë cilësinë e Aston Villa në finale.
Skuadra angleze ka krijuar raste që në fillim të takimit. Në minutën e tretë, Morgan Rogers e ka provuar me një goditje drejt shtyllës së majtë, por portieri Noah Atubolu ka reaguar me sukses.
Goli i parë ka ardhur në minutën e dyzet e një, kur Youri Tielemans ka realizuar pas një asistimi të saktë nga Lucas Digne.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, Emiliano Buendia ka shënuar edhe golin e dytë për Aston Villa, duke i dhënë skuadrës angleze epërsi të rehatshme 2:0 në pushim.
Edhe Freiburg ka pasur rastet e veta. Në minutën e tridhjetë e katërt, Johan Manzambi e ka provuar nga distanca, por portieri i Aston Villa ka qenë i vëmendshëm.
Në pjesën e dytë, Aston Villa e ka vulosur triumfin në minutën e pesëdhjetë e tetë. Emiliano Buendia ka asistuar për Morgan Rogers, i cili ka realizuar me qetësi për rezultatin përfundimtar 3:0.
Me triumfin në Europa League, Aston Villa ka siguruar automatikisht edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Champions League për sezonin e ardhshëm.
Villa në epërsi prej dy golash ndaj Freiburg në finalen e Europa League
Pjesa e parë e finales së Europa League mes Aston Villa dhe Freiburg është mbyllur me epërsinë 2:0 të skuadrës angleze.
Golin e parë e ka realizuar Youri Tielemans në minutën e dyzet e një. Mesfushori belg ka reaguar mirë brenda zonës pas një asistimi të saktë nga Lucas Digne dhe e ka dërguar topin në rrjetë me goditje të menjëhershme.
Në fund të pjesës së parë ka ardhur edhe goli i dytë. Ka qenë Emiliano Buendia, ai i cili ka realizuar me qetësi përballë portierit kundërshtar.
Edhe skuadra gjermane ka pasur rastet e veta gjatë pjesës së parë. Në minutën e tridhjetë e katërt, Johan Manzambi ka provuar me një goditje nga distanca drejt këndit të poshtëm të portës, por portieri i Aston Villa ka reaguar me sukses.
Në anën tjetër, Aston Villa ka rrezikuar që në fillim të takimit. Në minutën e tretë, Morgan Rogers kishte gjuajtur drejt shtyllës së majtë, por portieri Noah Atubolu ka qenë i vëmendshëm dhe e ka shmangur golin.























