Trump: Irani do të `paguajë çmimin` për dështimin e negociatave të paqes
G.K/RTKlive
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani do të “paguajë çmimin” pasi negociatat e paqes për konfliktin në Lindjen e Mesme kanë ngecur.
Trump tha të mërkurën se Irani ka marrë shumë kohë për të negociuar një marrëveshje dhe tani do të “duhet të paguajë çmimin”. Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai tha se ushtria iraniane është “plotësisht e mundur” dhe e quajti Iranin “ngacmuesi i Lindjes së Mesme”.
“Kanë marrë shumë kohë për të negociuar një marrëveshje që do të ishte e mirë për ta, tani do të duhet të paguajnë çmimin!!!”, shkroi Trump.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump është cituar të ketë thënë se, për shkak se bisedimet e paqes nuk kanë shënuar progres, ai po i afrohet vendimit për të shënjestruar infrastrukturën strategjike të Iranit, përfshirë centralet energjetike dhe urat.
“Irani kishte një shans për të nënshkruar një marrëveshje dhe për të mbijetuar”, është cituar të ketë thënë ai.
Deklaratat e Trump vijnë pas shkëmbimeve të zjarrit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që kanë përshkallëzuar tensionet në rajon dhe kanë rrezikuar marrëveshjen e armëpushimit që kishte hyrë në fuqi në prill.
Sipas raportimeve, SHBA-ja ka kryer sulme ajrore ndaj Iranit, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj disa vendeve të rajonit, përfshirë Jordaninë, Bahreinin dhe Kuvajtin, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim më të madh të konfliktit. / Burimi: Euro News























