Marrëveshja SHBA-Iran liron çmimin e naftës
BKT
Rajoni dhe Bota

Marrëveshja SHBA-Iran liron çmimin e naftës

D.R./RTKlive

Sapo Irani dhe SHBA-të arritën marrëveshje që të ndalojnë luftën dhe të rihapin Ngushticën e Hormuzit, çmimet e naftës ranë ndjeshëm.

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë njoftuan të dielën vonë se kishin arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës së tyre dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, një pakt paraprak i cili bëri që çmimet e naftës të binin, por e la fatin e programit bërthamor të Teheranit në dorë të negociatave të mëtejshme.

Ende vetëm një kornizë, marrëveshja shënoi përparimin më të madh drejt zgjidhjes së konfliktit që ka vrarë mijëra njerëz dhe ka përmbysur tregjet e energjisë që kur filloi me sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit në shkurt.

Sipas Pakistanit ndërmjetësues, marrëveshja do të nënshkruhet të premten në Zvicër.

Donald Trump ka shkruar "Lëreni naftën të rrjedhë!" në një postim në Truth Social gjë që bëri që çmimet e naftës të bien menjëherë.

Në Iran, zëvendësministri i jashtëm ka deklaruar në televizionin shtetëror se është arritur marrëveshja, të cilën komanda më e lartë ushtarake e vendit e përshëndeti si një fitore për Teheranin.

Teksti i plotë i marrëveshjes ende nuk është publikuar, por thuhet se prioriteti i saj është të zgjasë armëpushimin e 8 prillit në kohë dhe fushëveprim 60 ditë të tjera duke u zotuar të mos ketë armiqësi, ndërsa të dyja palët angazhohen për bisedime.

Pakistani, i cili shpalli të dielën vonë marrëveshjen e arritur, njoftoi se "operacionet ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë në Liban" do të përfundojnë.

Lufta kishte filluar me sulme amerikane dhe izraelite në të gjithë Iranin më 28 shkurt, duke bërë që Irani të sulmojë Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, dhe të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, duke e vënë në vështirësi furnizimit global me naftë dhe gaz, dhe duke ngritur çmimet e karburantit.

Çmimi i naftës “Brent”, që para lufte tregtohej rreth 70 dollarë për fuçi, arriti deri në 120 dollarë për fuçi gjatë kulmit të tensioneve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota