Von der Leyen: S’ka paqe të qëndrueshme derisa Libani mbetet në flakë
BKT
Foto: Associated Press
Rajoni dhe Bota

Von der Leyen: S’ka paqe të qëndrueshme derisa Libani mbetet në flakë

G.K/RTKlive

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar para samitit të G7 se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme derisa Libani mbetet në flakë.

“Dua gjithashtu të theksoj se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme derisa Libani mbetet në flakë. Ne bëjmë thirrje për një armëpushim të vërtetë dhe për respektimin e plotë të sovranitetit të Libanit”, tha ajo.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, tha se marrëveshja paraprake duhet të garantojë sovranitetin e plotë dhe integral të Libanit.

Deklaratat erdhën pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani arritën një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund luftës “në të gjitha frontet”, ndërsa autoritetet izraelite njoftuan se ushtria nuk do të tërhiqej nga pjesët e Libanit jugor që ka pushtuar.

Bashkimi Evropian ka investuar ndjeshëm në stabilitetin e Libanit dhe druhet se përkeqësimi i situatës mund të shkaktojë një valë të re migrimi në Mesdhe.

Ndërkohë, von der Leyen u bëri thirrje aleatëve të G7 që të veprojnë të bashkuar për t’iu përgjigjur sfidave që paraqet ekonomia e Kinës e udhëhequr nga shteti.

“Ekziston një mirëkuptim i përgjithshëm se uniteti dhe koordinimi mes vendeve të G7 janë thelbësore në këtë çështje. Të gjithë po përballemi me të njëjtat modele në ekonomitë tona. Uniteti është parakushti që G7 të arrijë kushte të barabarta konkurruese në nivel global”, tha ajo.

Ajo theksoi se viti 2025 ishte hera e parë në histori që të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian regjistruan deficit tregtar me Kinën.

“Kjo, natyrisht, nuk është e qëndrueshme”, tha von der Leyen.

Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit, për të rritur prodhimin vendor në sektorët strategjikë dhe për të adresuar shtrembërimet tregtare, si subvencionet dhe presionet ekonomike. Lëndët e para kritike, sektor ku Pekini ka dominim të madh, do të jenë ndër temat kryesore të diskutimeve në samitin e G7. / Burimi: Euro News


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota