Vala e të nxehtit në Evropë zhvendoset në lindje, temperaturat deri në 40°C
Flutura Bekqeli / RTK
Parizianëve do t’u ndalohet konsumimi i alkoolit në hapësira publike nga mesdita e së premtes deri në orën 07:00 të së shtunës. E njëjta masë do të zbatohet edhe nga mesdita e së shtunës deri në orën 07:00 të së dielës.
Ndërkohë, vala e të nxehtit që ka përfshirë Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën pritet të zhvendoset drejt Evropës Lindore. Shërbimet meteorologjike në Gjermani dhe Republikën Çeke kanë paralajmëruar për kushte ekstreme të motit, me temperatura që në Gjermani mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius të premten.
Në Republikën Çeke është në fuqi një paralajmërim për mot ekstrem në pjesën më të madhe të territorit. Sipas meteorologëve, temperaturat do të vazhdojnë të rriten gjatë fundjavës, duke arritur deri në 40 gradë Celsius.
Ndryshimet klimatike po kontribuojnë në rritjen e temperaturave në mbarë botën, por ndikimi është veçanërisht i dukshëm në Evropë. Sipas Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale.
Edhe pse temperaturat në Spanjë arritën kulmin në 38–39 gradë Celsius në disa rajone të enjten, meteorologët parashikojnë ardhjen e një mase ajrore më të freskët nga Atlantiku. Sistemi spanjoll i monitorimit të vdekjeve të lidhura me temperaturat, MoMo, ka regjistruar 213 viktima nga e diela deri të mërkurën, të cilat dyshohet se lidhen me nxehtësinë, përfshirë 95 raste vetëm të mërkurën.
Në Gjermani, Shërbimi Meteorologjik (DWD) njoftoi se zona të mëdha të vendit po përballen me "stres të nxehtësisë". Ndërkohë, MeteoSuisse ka vendosur alarmin maksimal për pjesën më të madhe të Zvicrës veriore dhe jugore, duke paralajmëruar për një "situatë të konsiderueshme thatësire".
Temperatura deri në 40 gradë Celsius priten gjatë fundjavës edhe në kryeqytetin austriak, Vjenë. Në Holandë, autoritetet kanë shpallur kodin e kuq në tetë nga 12 provincat që prej mesnatës së së enjtes, sipas orës lokale, ndërsa në zonat lindore temperaturat mund të arrijnë deri në 39 gradë Celsius.























