Tensione në kufirin Afganistan - Pakistan
Flutura Bekqeli /RTK
Regjimi taleban i Afganistanit ka njoftuar se ka kryer sulme ndaj objektivave përgjatë kufirit me Pakistanin, duke plagosur disa persona në provincën jugperëndimore të Balochistanit.
Ndërkohë, ushtria e Pakistanit deklaroi se ka rrëzuar katër dronë dhe paralajmëroi se çdo provokim i mëtejshëm “do të marrë përgjigje”. Këto zhvillime vijnë pasi Pakistani ndërmori sulme ajrore në Afganistan të dielën, ku sipas OKB-së u vranë 28 civilë.
Tensionet mes dy vendeve janë rikthyer pas muajsh qetësie relative, megjithëse në tetor ishte arritur një armëpushim pas përleshjeve të përgjakshme. Pakistani ka akuzuar vazhdimisht Afganistanin për strehim të militantëve që kryejnë sulme në territorin e tij, akuza që qeveria talebane i mohon. Nga ana tjetër, Kabuli akuzon Islamabadin për sulme të paprovokuara ndaj civilëve.
Autoritetet afgane thanë se sulmet e fundit pakistaneze kanë goditur shtëpi civile, duke rritur numrin e viktimave në 36 të vrarë dhe mbi 160 të plagosur. Ndërkohë, Pakistani pohon se operacionet tokësore dhe ajrore kishin në shënjestër vetëm strehimet e militantëve.
Përleshjet sporadike kufitare dhe sulmet ajrore në muajt e fundit kanë shkaktuar dhjetëra viktima në të dyja anët. Vetëm në muajt e fundit janë raportuar disa incidente të përgjakshme, përfshirë përleshje në shkurt me dhjetëra të vrarë dhe sulme ajrore në qershor që lanë pas viktima si militantë ashtu edhe civilë.























