Zjarret pyjore përfshijnë Evropën Jugore, mijëra persona evakuohen
Bardhyl Bajrami /RTK
Një valë zjarresh të mëdha pyjore ka përfshirë vende të ndryshme të Evropës Jugore, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po vështirësojnë përpjekjet e zjarrfikësve në Spanjë, Francë dhe Itali.
Mijëra banorë janë evakuuar, ndërsa qindra ekipe emergjente dhe mjete ajrore janë angazhuar për t`i vënë nën kontroll flakët.
Në Katalonjë, zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll një zjarr të madh në rajonin e Anoia, ku rreth 33 mijë persona u detyruan të qëndronin të izoluar për shkak të rrezikut nga flakët. Zjarri përfshiu rreth 400 hektarë tokë, ndërsa mbi 60 ekipe zjarrfikëse dhe aeroplanë për shuarjen e zjarreve punuan gjatë gjithë natës për të frenuar përhapjen e tij.
Një tjetër vatër e madhe u regjistrua në zonën e Sentmenat, ku temperaturat e larta dhe shpërthimet e reja të flakëve vazhdojnë të paraqesin rrezik. Autoritetet katalanase njoftuan se vetëm gjatë ditës së hënë janë raportuar të paktën 65 zjarre në të gjithë rajonin.
Situata mbetet kritike edhe në jug të Francë, ku në rajonin e Pyrénées-Orientales flakët kanë djegur afro 5 mijë hektarë tokë. Mbi 800 zjarrfikës, të mbështetur nga helikopterë dhe aeroplanë zjarrfikës, po luftojnë për të mbrojtur zonat e banuara.
Fshati Vinça u evakuua plotësisht pasi flakët iu afruan banesave. Rreth 2 mijë banorë u detyruan të largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre, ndërsa dhjetëra ndërtesa janë dëmtuar dhe disa persona kanë pësuar lëndime të lehta.
Në Itali, zjarrfikësit luftuan gjatë natës me një zjarr pyjor në zonën e Mercato Saraceno, ku flakët u vunë nën kontroll pas ndërhyrjes së ekipeve të mbrojtjes civile.
Njëkohësisht, zjarre të tjera po përhapen në jug të ishullit të Sardenjë, veçanërisht në provincën e Cagliari dhe në qytetin e Elmas, ku banorët u evakuuan si masë parandaluese për shkak të afrimit të flakëve pranë shtëpive dhe bizneseve bujqësore.























