SHBA: Irani nuk ka të drejtë të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA: Irani nuk ka të drejtë të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit

Sh.Ç/RTKlive

Komanda Qendrore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka ritheksuar qëndrimin e Uashingtonit se Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe se Irani nuk ka të drejtë ta kontrollojë atë.

Në një reagim të publikuar në platformën X, CENTCOM hodhi poshtë pretendimet e mediave shtetërore iraniane se anijet mund të kalojnë nëpër ngushticë vetëm përmes rrugëve të përcaktuara nga Teherani.

"Media shtetërore iraniane pretendon se kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit lejohet vetëm përmes rrugëve të përcaktuara nga Irani”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.

Komanda amerikane e kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se ngushtica nuk është nën kontrollin iranian.

“Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit. Që nga fillimi i majit, forcat amerikane kanë ndihmuar në lehtësimin e kalimit të suksesshëm të mbi 800 anijeve tregtare dhe 380 milionë fuçive me naftë të papërpunuar përmes korridorit vital ndërkombëtar të tregtisë”, deklaroi CENTCOM.

Reagimi vjen pasi autoritetet iraniane paralajmëruan se do të kërkojnë koordinim me Teheranin dhe do të vendosin tarifa për anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një propozim që është kundërshtuar nga shumica e vendeve.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët detare më strategjike në botë, pasi rreth 20 për qind e furnizimeve globale me naftë të papërpunuar dhe gaz kalojnë përmes saj. Për shkak të rëndësisë së saj, ajo vazhdon të jetë një pikë e ndjeshme e tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Sipas informacionit të publikuar, Irani kishte kufizuar në masë të madhe lëvizjen në Ngushticën e Hormuzit pas fillimit të sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota