Të paktën 27 të vdekur dhe 22 të plagosur në një zjarr në Bangkok
Flutura Bekqeli / RTK
Një zjarr i madh përfshiu një lokal në Bangkok, duke vrarë të paktën 27 persona dhe duke lënë 22 të plagosur rëndë
Zjarri filloi në një lagje popullore, më pas u përhap me shpejtësi, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke përfshirë vendin me tym, kanë thënë dëshmitarët okularë. Zjarrfikësit, të cilët mbërritën në vendngjarje menjëherë pas mesnatës, e shuan shpejt zjarrin. Ata gjetën trupat e shumicës së viktimave në një banjo, ku me sa duket, kishin kërkuar strehim.
Hetimet paraprake nga departamenti i fatkeqësive të Bangkokut sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner, megjithëse nuk është dhënë asnjë shkak zyrtar. Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë dhe megjithë premtimet zyrtare për të përmirësuar standardet e sigurisë nga zjarri dhe elektrike pas incidenteve të mëparshme, ato shpesh zbatohen dobët. Zjarrfikësit, të cilët u njoftuan për flakët nga një shofer që po kalonte aty pranë, thuhet se arritën t'i vinin flakët nën kontroll brenda rreth gjysmë ore.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre, nëntë burra dhe 18 gra vdiqen. Më shumë se 60 persona po trajtohen në spital, përfshirë 22 që janë në gjendje kritike, thanë autoritetet.
Gjetjet fillestare sugjerojnë se shumica e viktimave kishin vdekur nga thithja e tymit, tha drejtori i departamentit të zbutjes së fatkeqësive në Bangkok.
Kjo nuk është hera e parë që Tajlanda ka përjetuar një tragjedi të tillë.
Në vitin 2022, një zjarr shpërtheu në një bar në një qytet në jug të Bangkokut, duke vrarë 22 persona, ndërsa më 1 janar 2009, 66 persona vdiqën në një zjarr në një klub nate në kryeqytet, i cili plagosi gjithashtu më shumë se 200 të tjerë, ndërsa po festonin Vitin e Ri.























