Qershori, muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga prilli 2022
N. Mekolli /RTKlive
Qershori i këtij viti është shënuar si muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga prilli i vitit 2022, sipas një raporti të publikuar më 14 korrik nga Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së në Ukrainë (HRMMU).
Sipas raportit, të paktën 293 civilë janë vrarë dhe 1,990 të tjerë janë plagosur gjatë muajit qershor, duke tejkaluar shifrat e muajit maj, kur u regjistruan 282 të vrarë dhe 1,794 të plagosur. Krahasuar me qershorin e vitit 2025, numri i viktimave është rritur me 37 për qind.
Misioni i OKB-së thekson se, pas rritjes së ndjeshme të viktimave në maj, trendi ka vazhduar edhe në qershor, duke arritur nivelin më të lartë të viktimave civile që nga fillimi i fazës më intensive të luftës në vitin 2022.
Shefja e HRMMU-së, Danielle Bell, deklaroi se rritja e vazhdueshme e viktimave gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 pasqyron intensifikimin e sulmeve ruse dhe përdorimin në rritje të armëve më të fuqishme.
“Ky trend duhet të shërbejë si paralajmërim se rreziqet për civilët jo vetëm që vazhdojnë, por po rriten si në përmasa, ashtu edhe në kompleksitet”, tha ajo.
Sipas të dhënave të OKB-së, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026 janë vrarë 1,396 civilë dhe janë plagosur 7,978 të tjerë. Këto shifra përfaqësojnë një rritje prej 37 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe 114 për qind më shumë se në gjysmën e parë të vitit 2024.
Raporti nënvizon përkeqësimin e situatës së sigurisë për civilët, ndërsa luftimet dhe sulmet ajrore vazhdojnë në pjesë të ndryshme të vendit.























