Trump kërcënon Iranin me sulme ndaj urave dhe termocentraleve
BKT
Foto|Reuters
Rajoni dhe Bota

Trump kërcënon Iranin me sulme ndaj urave dhe termocentraleve

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë një urë ose termocentral iranian sa herë që forcat iraniane sulmojnë një anije në Ngushticën e Hormuzit.

Objektivat e mundshëm, sipas tij, do të përfshijnë edhe ato që ndodhen "pranë ose brenda" kryeqytetit Teheran. Ai këtë paralajmërim e bëri përmes një postimi në platformën Truth Social.

Trump tha se përgjigjja ushtarake do të vijë pas çdo sulmi ndaj anijeve në këtë rrugë ujore strategjike, "qoftë me raketa, dronë apo çdo lloj arme tjetër".

Kërcënimi i tij vjen pasi SHBA-ja kreu sulme ndaj Iranit për natën e 11-të radhazi, ndërsa Teherani paralajmëroi Uashingtonin të mos godasë objektet e tij bërthamore.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në Teheran. Shpërthime u raportuan gjithashtu në qytetin veriperëndimor Tabriz, në portet juglindore Çabahar dhe Konarak, si dhe në qytetin jugor Bushehr, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit.

Irani, i cili ka ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme, paralajmëroi kundërpërgjigje pasi Trump deklaroi se SHBA-ja së shpejti do të godiste një objekt nëntokësor bërthamor pranë Natanzit.

Ushtria e Kuvajtit njoftoi të mërkurën se mbrojtja ajrore kishte zmbrapsur sulme me dronë nga Irani, ndërsa Bahrejni dhe Jordania thanë se kishin interceptuar gjithashtu dronë dhe raketa.

Çmimi i naftës u rrit ndjeshëm pas përshkallëzimit të fundit, duke arritur në 94 dollarë për fuçi të mërkurën.

Negociatori kryesor i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi SHBA-në duke thënë se "ekuacioni i kësaj lufte është i qartë: ose të gjithë, ose askush".

"Në një rajon ku ne nuk shesim naftë, askush nuk do të shesë naftë. Nëse siguria jonë nuk garantohet, asnjë infrastrukturë nuk do të jetë e sigurt dhe siguria e Ngushticës së Hormuzit nuk mund të ekzistojë në prani të forcave amerikane. E kemi thënë vazhdimisht se situata në ngushticë nuk do të kthehet në gjendjen para luftës", shkroi ai në platformën X.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi më herët se Uashingtoni mbetet i gatshëm për diplomaci me Teheranin, por shtoi se nuk beson se Irani është serioz për bisedime.

Më herët, Trump tha se objektivi i radhës ushtarak mund të jetë kompleksi i njohur si "Pickaxe Mountain", një objekt nëntokësor bërthamor ku dyshohet se Irani po ndërton një impiant të padeklaruar për pasurimin e uraniumit.

Trump kërcënoi gjithashtu se do të "merrej" me rebelët Huthi nëse grupi i mbështetur nga Irani në Jemen zbaton kërcënimin për bllokimin e porteve saudite.

Një zyrtar i mediave të Huthive kishte deklaruar më herët se grupi po mbyll Ngushticën Bab al-Mandab, hyrjen jugore të Detit të Kuq, për anijet saudite.

Deti i Kuq është bërë një rrugë jetike për transportin e naftës nga Arabia Saudite gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila ka çuar në bllokimin praktik të Ngushticës së Hormuzit, raporton BBC.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota