Tërmet i fuqishëm godet Japoninë, mbi 50 të lënduar
N. Mekolli /RTKlive
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 goditi të martën prefekturën jugore Kumamoto në Japoni, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë për mijëra banesa, dëmtime të rrugëve dhe mbi 50 persona të lënduar.
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, deklaroi nga Tokio se autoritetet janë ende duke vlerësuar shkallën e plotë të dëmeve dhe viktimave. “Kemi marrë informacione për persona të lënduar. Ka ndërprerje të energjisë dhe zjarre në disa zona, si dhe dëmtime në rrugë, ura dhe shembje ndërtesash,” tha ajo, raporton Reuters.
Sipas transmetuesit publik NHK, një spital ka raportuar mbi 50 të lënduar, ndërsa disa persona janë plagosur edhe në një tren me shpejtësi të lartë në momentin e tërmetit. Gazeta Nikkei raportoi gjithashtu për dëmtime të shumta në infrastrukturë dhe ndërtesa.
Ndër objektet e prekura është edhe një qendër tregtare e kompanisë Aeon, ku raportohet për një shpërthim, ndërsa pamjet tregojnë ndërtesa të përfshira nga zjarri ose pjesërisht të shembura.
Tërmeti ka shkaktuar çarje të mëdha në rrugë, përfshirë autostrada të ngritura, si dhe daljen nga shinat të një treni mallrash. Shërbimet hekurudhore janë pezulluar, ndërsa fluturimet janë ndërprerë përkohësisht.
Kompania TSMC ka evakuuar punonjësit nga fabrika e saj në zonë si masë paraprake, ndërsa edhe Sony dhe Fujifilm kanë larguar stafin nga objektet e tyre, sipas mediave japoneze.
Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive njoftoi se mbi 150 mijë persona janë udhëzuar të strehohen në qendrat e evakuimit.
Autoritetet paralajmërojnë se zonat e prekura mund të përballen me tërmete të tjera të forta gjatë ditëve në vijim, si dhe me rrezik të shtuar për rrëshqitje dheu.























