Trump e Netanyahu zhvillojnë takimin e parë pas mosmarrëveshjeve për Iranin
BKT
Foto: The Associated Press
Rajoni dhe Bota

Trump e Netanyahu zhvillojnë takimin e parë pas mosmarrëveshjeve për Iranin

G.K/RTKlive

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, zhvilluan të martën në Uashington takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga mosmarrëveshjet lidhur me luftën me Iranin.

Një burim i lartë nga delegacioni i Netanyahut e përshkroi takimin si “jashtëzakonisht pozitiv”.

“Ishte një takim jashtëzakonisht pozitiv. Kryeministri dhe presidenti zhvilluan një diskutim të shkëlqyer dhe gjithëpërfshirës për çështjet kryesore të ditës, para së gjithash për Iranin”, citohet të ketë thënë burimi anonim.

Sipas tij, të dy liderët riafirmuan angazhimin e tyre për të siguruar që Irani të mos posedojë kurrë armë bërthamore.

Bisedimet zgjatën rreth 90 minuta, ndërsa Shtëpia e Bardhë i përshkroi ato si “pozitive dhe produktive”.

Diskutimet pritej të përqendroheshin në luftën me Iranin, e cila është ndalur gjatë javëve të fundit, derisa Uashingtoni po ndjek rrugën diplomatike.

“Do të diskutojmë të gjitha çështjet në agjendë, para së gjithash Iranin. Natyrisht, synimi ynë është të garantojmë sigurinë tonë dhe gjithashtu të zgjerojmë rrethin e paqes rreth nesh”, tha Netanyahu para nisjes nga Izraeli.

Ky ishte takimi i tetë mes Trumpit dhe Netanyahut që nga rikthimi i presidentit amerikan në detyrë në fillim të vitit 2025.

Takimi u zhvillua para zgjedhjeve në Izrael dhe zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që pritet të mbahen më vonë gjatë këtij viti.

Ky ishte gjithashtu takimi i tyre i parë që nga përshkallëzimi i fundit i armiqësive mes SHBA-së dhe Iranit në fillim të këtij muaji, pasi armëpushimi i arritur në prill u shemb. Izraeli nuk mori pjesë në luftimet e fundit.

Dy liderët pritej të diskutonin edhe zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga SHBA-ja mes Izraelit dhe Libanit, si dhe përpjekjet e ngecura për rindërtimin e Gazës.

Gati tre vjet pas fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, situata humanitare në Gaza mbetet e rëndë, ndërsa Izraeli vazhdon të sulmojë persona që ushtria i cilëson si “militantë”.

Marrëdhëniet mes Trumpit dhe Netanyahut arritën pikën më të ulët në prill, gjatë negociatave për armëpushimin me Iranin, kur Trump kritikoi publikisht liderin izraelit.

Trump më vonë e përshkroi Netanyahun si “një njeri shumë të vështirë”, ndërsa Netanyahu i cilësoi përplasjet si “mosmarrëveshje taktike”, duke thënë se ata mbeten të një mendimi për objektivat e luftës. / Burimi: Euro News


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota