Mbi gjysma e Anglisë shpallet zyrtarisht në gjendje thatësire
BKT
Foto: euronews
Rajoni dhe Bota

Mbi gjysma e Anglisë shpallet zyrtarisht në gjendje thatësire

G.K/RTKlive

Më shumë se gjysma e Anglisë është shpallur zyrtarisht në gjendje thatësire pas reshjeve rekord të ulëta dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, raporton EuroNews.

Sipas Agjencisë Britanike të Mjedisit, korriku pritet të jetë muaji më i thatë i regjistruar ndonjëherë, me vetëm rreth 7 për qind të sasisë së pritshme të reshjeve në nivel kombëtar, ndërsa disa zona në jug të Anglisë kanë regjistruar vetëm 1 për qind të reshjeve të zakonshme.

Autoritetet e kanë cilësuar situatën si një "thatësirë të shpejtë", e shkaktuar nga kombinimi i reshjeve shumë të pakta dhe temperaturave të larta. Kjo është vera e dytë radhazi që pjesë të Anglisë përballen me thatësirë.

Agjencia e Mjedisit njoftoi se lumenjtë po shterojnë, fermerët po detyrohen të korrin të mbjellat më herët, rreziku nga zjarret në natyrë po rritet dhe miliona njerëz po jetojnë nën kufizime për përdorimin e ujit.

Shtatë rajone, përfshirë Londrën, East Anglia, jugperëndimin e Anglisë dhe West Midlands, janë shpallur në gjendje thatësire, duke përfshirë 51.4 për qind të territorit të Anglisë, shkruan EuroNews.

Grupi Kombëtar për Thatësirën zhvilloi një takim për të shqyrtuar ndikimet dhe masat e reagimit, ndërsa kompanive të ujësjellësit u është kërkuar që riparimi i rrjedhjeve të ujit të jetë prioritet.

Sipas kryetares së grupit, Helen Wakeham, moti i nxehtë dhe i thatë do të thotë se uji po përdoret më shpejt sesa natyra mund ta zëvendësojë, ndërsa paralajmëroi se vera e dytë radhazi me thatësirë do të ketë pasoja afatgjata për mjedisin, jetën e egër dhe ekonominë.

Ndërkohë, Zyra Meteorologjike e Britanisë bëri të ditur se Anglia dhe Mbretëria e Bashkuar regjistruan temperaturë rekord ditore prej 38 gradë Celsius gjatë muajit qershor. Sipas Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike, Copernicus, Evropa mbetet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota