Franca, Spanja dhe Greqia vazhdojnë betejën me zjarret
BKT
Rajoni dhe Bota

Franca, Spanja dhe Greqia vazhdojnë betejën me zjarret

G.K/RTKlive

Franca, Spanja dhe Greqia vazhduan të enjten përballjen me zjarret e mëdha pyjore, ndërsa temperaturat e larta, bimësia e tharë dhe erërat e fuqishme mbajnë në alarm pjesën më të madhe të Evropës Jugore, raporton Reuters.

Në Spanjë, kryeministri Pedro Sánchez uli nivelin e emergjencës për zjarrin e madh në kufirin mes Madridit dhe Castilla y León, por paralajmëroi se rreziku nuk ka kaluar. Sipas tij, të paktën 10 zjarre të tjera vazhdojnë të shqetësojnë autoritetet.

Në Francë, dy persona u arrestuan nën dyshimin për zjarrvënie, ndërsa ekipet e zjarrfikësve arritën të frenojnë përhapjen e zjarrit të madh pranë Bordeaux. Zjarri ka djegur rreth 42 mijë hektarë pyje me pisha dhe ka detyruar rreth 220 mijë banorë e pushues të evakuohen, megjithëse rreth 60 mijë prej tyre janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në Greqi, zjarret kanë shkaktuar vdekjen e tre zjarrfikësve dhe kanë detyruar qindra turistë e banorë të largohen nga disa zona të Kretës, disa prej tyre me anije.

Reuters raporton se ekipet e emergjencës këtë verë janë përballur pothuajse pa ndërprerje me valë të të nxehtit dhe fronte zjarresh në një Evropë gjithnjë e më të tharë, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian po përjetojnë një sezon zjarresh mbi mesataren, duke tejkaluar tashmë të njëjtën periudhë të vitit rekord 2025.

Në lindje të Anglisë, zjarrfikësit po luftojnë një zjarr të madh në Dunwich Heath, i cili ka detyruar evakuimin e rreth 200 karvanëve.

Në Francë, autoritetet presin përmirësim të kushteve meteorologjike rreth Bordeaux, por alarmi për vapë ekstreme mbetet në fuqi në departamentin Gironde. Ndërkohë, Météo France ka paralajmëruar se rreziku më i madh nga zjarret tashmë është zhvendosur drejt Francës juglindore dhe harkut mesdhetar.

Në Spanjë, autoritetet vazhdojnë monitorimin e vatrave të zjarrit, ndërsa rreth 1,000 banorë mbeten ende të evakuuar pranë rezervuarit San Juan, në perëndim të Madridit. Në provincën Castellón, zjarrfikësit kanë forcuar vijat e kontrollit dhe banorët e evakuuar nga disa qyteza janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota