Asllani nuk është pjesë e projektit të Interit, klubi kërkon largimin e tij
BKT
Sport

Asllani nuk është pjesë e projektit të Interit, klubi kërkon largimin e tij

F.B/RTKLive

E ardhmja e Kristjan Asllanit duket gjithnjë e më larg Interit.

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë nuk bën më pjesë në planet e klubit zikaltër dhe është lënë jashtë skuadrës për fazën përgatitore të sezonit të ri.

Sipas gazetarit të njohur, Fabrizio Romano, drejtuesit e Interit i kanë komunikuar zyrtarisht futbollistit vendimin e tyre, duke i bërë të qartë se ai nuk është pjesë e projektit sportiv për sezonin e ardhshëm.

Klubi milanez u ka kërkuar gjithashtu përfaqësuesve të Asllanit që të punojnë për gjetjen e një destinacioni të ri, me synimin që transferimi i tij të realizohet sa më shpejt gjatë kësaj merkatoje.

Romano raporton se qëndrimi i Interit është i prerë dhe se mesfushori shqiptar konsiderohet tashmë jashtë planeve teknike të skuadrës. Për këtë arsye, ai nuk është përfshirë në turin përgatitor, një sinjal i qartë se bashkëpunimi mes palëve po shkon drejt fundit.

Pas tri sezonesh në "Giuseppe Meazza", aventura e Kristjan Asllanit me fanellën e Interit duket se po mbyllet. Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës për 24-vjeçarin, i cili pritet të jetë një nga emrat më të përfolur në ditët e mbetura të afatit kalimtar.