Real Madridi i vendos kusht Viniciusit: Rinovo ose largohu
F.B/RTKLive
Real Madridi ka vendosur t`i japë fund pasigurisë rreth të ardhmes së Vinicius Junior, duke i paraqitur yllit brazilian ofertën e fundit për rinovimin e kontratës.
Pas disa muajsh negociatash që nuk kanë sjellë marrëveshje, drejtuesit e klubit madrilen kanë vendosur të mos vazhdojnë më me bisedime të pafundme.
Sipas “Marca”, përfaqësuesit e Viniciusit janë njoftuar se oferta aktuale është përfundimtare dhe nuk do të ketë përmirësime të tjera financiare.
Qëndrimi i Real Madridit është i qartë: nëse sulmuesi pranon kushtet e ofruara, ai do të vazhdojë karrierën në "Santiago Bernabeu". Në të kundërt, klubi është i gatshëm ta nxjerrë në shitje gjatë këtij afati kalimtar për të shmangur rrezikun që lojtari të hyjë në vitin e fundit të kontratës dhe të largohet më pas si futbollist i lirë.
Vendimi i klubit vjen në një moment kur interesimi i Arsenalit për Viniciusin ka shtuar spekulimet rreth të ardhmes së tij dhe ka bindur drejtuesit madrilenë se situata duhet të marrë një zgjidhje sa më shpejt.
Pavarësisht kësaj, Real Madridi vazhdon ta konsiderojë 26-vjeçarin një nga shtyllat kryesore të projektit sportiv. Klubi është i gatshëm ta shpërblejë për kontributin e tij ndër vite me një kontratë të përmirësuar, por pa cenuar strukturën e pagave që ka ndërtuar.
Drejtuesit e "Los Blancos" mbeten të vendosur se asnjë futbollist, pavarësisht statusit apo rëndësisë në skuadër, nuk do të vendoset mbi politikën financiare të klubit.
Tashmë vendimi përfundimtar i takon Viniciusit, i cili duhet të zgjedhë mes vazhdimit të aventurës me Real Madridin ose hapjes së një kapitulli të ri në karrierën e tij.























